Edhe një objekt i ri i paidentifikuar mbi hapësirën ajrore të Amerikës në Veriut është rrëzuar, ka konfirmuar kryeministri i Kanadasë, JbIDEustin Trudeau.
Ai tha se objekti i ri ka “shkelur hapësirën ajrore kanadeze” dhe u rrëzua në Jukon, në veriperëndim të Kanadasë.
Dy avionë kanadezë dhe amerikanë u përpoqën që ta gjurmonin objektin dhe sipas Trudeau, ai u rrëzua nga një avion luftarak amerikan i llojit F-22.
Ky është objekti i tretë që rrëzohet në Amerikën e Veriut në javën e fundit.
Ushtria amerikane fundjavën e kaluar shkatërroi një balonë kineze dhe të premten rrëzoi një objekt të paspecifikuar – në madhësinë e një makine të vogël – mbi Alaskë.
Treudeau konfirmoi se ai dha urdhër për rrëzimin e objektit dhe për këtë çështje ka biseduar me presidentin amerikan, Joe Biden.
“Forcat kanadeze tani do të marrin mbetjet e objektit dhe do t’i analizojnë ato”, shkroi ai në Twitter.
Objekti i paidentifikuar fluturoi mbi Jukon në një lartësi prej 12.000 metrash dhe u identifikua të shtunën në orën 15:41, sipas kohës lokale, tha ministrja kanadeze e Mbrojtjes, Anita Anand.
Ajo tha se objekti ishte i “vogël” dhe në formë “cilindrike”, por shtoi se ekipet ende nuk kanë marrë mbetjet e objektit që të kuptojnë më shumë detaje.
Ankand tha se objekti u rrëzua rreth 160 kilometra nga kufiri me SHBA-në, duke shtuar se ai paraqiste “një kërcënim për aviacionin civil”.
Ministrja kanadeze tha se objekti i ri i rrëzuar duket se ishte më i vogël sesa ai i rrëzuar në Karolinën e Jugut të shtunën e kaluar – referencë për balonën gjigante kineze, që dyshohet se po përdorej për spiunazh dhe që është vlerësuar se ishte 60 metra e gjatë./rel