Ish-zyrtares Alda Klosi i sekuestrohen një apartament dhe një garazh. Aktualisht Klosi, e ndodhet në burg nën akuzën për pastrim parash e fshehje pasurie.
Ajo është e dyshuar për veprat penale; “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Në dosjen e akuzës thuhet se Prokuroria Pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, më datë 27.12.2022 ka regjistruar procedimin penal nr. 9220 viti 2022 për veprën penale “Vjedhja” e pasurisë që ka sjellë pasoja të rënda parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K. Penal, në ngarkim të shtetasve Rozeta Dobi dhe Havier Dobi.
Procedim penal i mësipërm është regjistruar pasi më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, është vjedhur banesa e shtetases Alda Klosi. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera nga organi i prokurorisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është krijuar bindja e bazuar në prova se autorët e dyshuar për kryerjen e veprës penale janë shtetasit Rozeta Dobi dhe Havier Dobi, ndaj të cilëve me kërkesë te prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendos masën e sigurimit “Arrest në burg”.