Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka folur para protestuesve të opozitës të mbledhur sot para sallës së seancave plenare. Ajo është shprehur se në tre dekada nuk ka ndodhur asnjëherë që të përjashtohet gjysma e grupit parlamentar të opozitës, në mënyrë që kryeministri të shkojë i qetë në seancë.
Topalli lëshoi akuza të forta ndaj Ramës duke thënë se prej 9 vitesh ai ka varfëruar shqiptarët, ka larguar të rinjtë nga vendi i tyre dhe atyre që kanë ngelur këtu nuk iu garanton jetesën bazike.
“Në tre dekada nuk ka ndodhur kurrë që të përjashtojnë gjysmën e grupit parlamentar në mënyrë që ai të ndihet e sigurt kur të shkojë në parlament. Nuk ka ndodhur kurrë në tre dekada që kur opozita kërkon komision hetimor, atë të mos e japin. Jam pa fjalë. Gjatë këtyre dhjetë viteve fuqia e korruptimit ka bërë që Shqipëria të vuajë dhe të boshatiset si kurrë më parë.
Pushteti i parasë bleu kryetarin e opozitës, bleu deputetë. Përpiqet të korruptojë këdo që të mos flasë në parlament. Është po aq e pamëshirshme sa burgu, sa vuajtja, sa internimi. Ka momente në jetë që njeriu ndihet i pafuqishëm ndaj padrejtësive, por në jetë nuk mund të ketë kurrë momente që njeriu të pushojë së protestuari.
Ky ka përzënë fëmijët e shqiptarëve prej 9 vitesh. Janë të rinjtë tanë që kanë marrë varkat, duke rrezikuar jetën. Nga njëra anë i përzë, nga ana tjetër nuk u jep mundësi atyre që kanë mbetur këtu që të sigurojnë jetën e tyre.
Ka momente që duhet rezistencë. Projekti i Durrësit është po aq korruptiv sa ai i inceneratorëve. Ka vetëm një mundësi për të lëvizur situatën, dhe ajo është rezistenca, përballja. Ne i dalim zot kauzave, familjeve tona, vendit tonë. Ndaj mos pretendoni që ajo të ndryshojë.
Kryetaren e Parlamentit e paskan fshehur sot. Përballja me krimin dhe korrupsionin nuk është e thjeshtë, por jo e pamundur. Të vendosim që ky vend të mos shpopullohet më. Në 3 mars ne do të zhvillojmë një protestë madhështore”.