Në Gjirokastër u godit një tjetër rast i tentativës për dhënie ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit. Shpallet në kërkim një 27-vjeçar që po transportonte 11 emigrantë kundrejt fitimit. Sekuestrohet automjeti.
Në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, i riu Ludovik Lisi duke drejtuar automjetin tip “Citroen”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe në vendin e quajtur “Kthesa e Fosforit”, Memaliaj, e ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 11 emigrantë nga vendet MENA, të cilët ky shtetas do t’i transportonte në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në automjet, u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.