Ekipet e shpëtimit refuzuan të ndalonin kërkimet për vëllanë e 17-vjeçares që u gjet e gjallë në rrënojat e shtëpisë së saj në Kayaba, Kahramanmaras pas 248 orësh.
Vajza e plagosur është dërguar në spital për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë prindërit e tyre të vdekur.
Në të njëjtën kohë, ata vazhdojnë përpjekjet e tyre për gjetjen e vëllait të saj 7-vjeçar, i cili është ende i zhdukur në rrënojat e pallatit ku banonte familja.
Gjatë gjithë ditës, ekipet e shpëtimit nxorën trupat nga rrënojat dhe i vendosën në çanta të zeza për t’u çuar në morg dhe më pas për t’i varrosur. Një anëtar i AFAD-it deklaroi se po vijojnë hetimet për gjetjen e djalit.
Vihet re se sapo ka përfunduar shpëtimi i vajzës, xhaxhai i saj me lot në sy ka puthur një nga një vullnetarët që e shpëtuan. “Ne jemi shume te gëzuar. Është e pakrahasueshme të shohësh gëzimin e familjes”, tha Ismail, një nga shpëtimtarët.
E ndërsa Aleyna Ölmez po shërohet në spital, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka kontaktuar me të afërmit e saj për t’u informuar për gjendjen shëndetësore dhe për t’i shprehur ngushëllimet për vdekjen e prindërve të saj.
Sipas asaj që shpëtuesit thanë për Daily Mail, vajza u gjet në një dhomë që mbeti e paprekur ndërsa të tjerët përreth saj u shembën. 17-vjeçarja ka pësuar frakturë të legenit, ndërsa këmbët e saj janë të mavijosura dhe të gërvishtura. Duhet theksuar se mbiemri i 17-vjeçares do të thotë “ajo që nuk vdes”.