Nga Dylber Balla
Opozita ndodhet në krizë totale përpara zgjedhjeve lokale të 14 Majit. Partia kryesore, PD që duhet të udhëheqë koalicionin vijon që të jetë e ndarë në dy fraksione, Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj. Dy palët kanë bërë gati listat për të dalë më vete. Shpresa e fundit është data 3 mars që mund të kristalizojë situatën ose do ta thellojë akoma më shumë krizën.
Në këtë moment kritik edhe aleatët tradicionalë kanë filluar që t’i japin duart PD-së. Pak ditë më parë kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi zyrtarizoi koalicionin me “Bindjen Demokratike” të drejtuar nga Astrit Patozi.
Çarjen tjetër opozitës ia dha Agron Duka që deklaroi se PAA do të dalë në vete në 14 Maj. Gjithashtu Shpëtim Idrizi, që drejton PDIU theksoi disa javë më parë se do të dalë vete. Besnikët e vetëm në krah të Sali Berishës për momentin janë Ilir Meta, Nard Ndoka dhe Vangjel Dule.
Dy prej aleatëve që ende nuk kanë vendosur janë kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe i FRD-së, Sali Shehu. “5pyetjet.al” kontaktoi zotin Mediu për ta pyetur nëse ka pasur oferta nga koalicioni Shehi-Patozi i ashtuquajtur “Poli i Tretë”.
“Jo, s’kam pasur dhe nuk mendoj qe opozita duhet të ketë disa pole, por brenda diferencave natyrale të saj e djathta duhet të ndërtojë një federatë të përbashkët ku përcaktohen qartë marrëdhëniet elektorale dhe vendimet politike” tha Mediu për “5pyetjet.al”.
Sali Shehu tha për “5pyetjet.al” se FRD ende nuk ka vendosur dhe po pret datën 3 Mars ditën e gjyqit të vulës. Ai beson te “receta” magjike e minutës së fundit. “Ofertë nga Shehi dhe Patozi nuk kam pasur. Por edhe nëse do të më vinte nuk do ta shikoja si mundësi. Ne jemi në koalicion me PD-në.
Mendoj se data 3 mars do të konsiderohet, do të vendosë shumë. Këtu nuk është punë polesh, por bashkimi, kjo është meritë dhe nevoja jetike e njerëzve. Në Shqipëri vendimet e mëdha janë marrë në ditën e fundit” deklaroi Shehu për “5pyetjet.al”.