-sidi education-spot_img
32.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Intelektualët gjermanë përballë Rusisë imperialiste

Kryesoret

Filozofi i madh gjerman Jürgen Habermas, gati 94-vjeçar, ka botuar javën që shkoi një trajtesë të gjatë në gazetën “Süddeutsche Zeitung” mbi luftën në Ukrainë. Artikulli i tij nxiti shumë reagime. Habermas angazhohet për “negociata” me Rusinë, por nuk skicon rrugët dhe mënyrat që çojnë te këto negociata. Fakti që Ukraina është sulmuar nga një shtet fqinj, nga Habermasi anashkalohet lehtësisht dhe kulmon me apelin që të dyja “palëve duhet t’u mundësohet një kompromis që ua ruan fytyrën”. T’i ruhet fytyra Vladimir Putinit? Si? Duke i falur territor të Ukrainës?

Si shumë intelektualë gjermanë edhe Habermas fokusin e ka te Rusia, por jo edhe te popujt e tjerë të Evropës Lindore. Mbi shqetësimet e tyre kalohet me lehtësi arrogante. E qartë, Habermas përmend humbjet njerëzore, por jo humbjen e jetës së mijëra ukrainasve si pasojë e agresionit rus.

Gazeta “Frankurter Allgemeine Zeitung” në një koment të shkurtër e quajti tekstin e Habermasit një shëtitje “në magjinë normative”. Në esenë e tij Habermas nuk ia kushton vëmendjen të duhur të drejtës ndërkombëtare dhe faktit se Ukraina është sulmuar nga Rusia duke qenë shtet sovran.

Është interesant të krahasohet ky shkrim i Jürgen Habermasit me komentin e tij të botuar në “Die Zeit” më 29 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s kundër regjimit terrorist serb për shkak të fushatës shfarosëse ndaj shqiptarëve në Kosovë. Atëbotë Habermas i arsyetonte sulmet e NATO-s kësisoj: “Shpërdorimi terrorist i pushtetit shtetëror e shndërron luftën klasike civile në krim masiv. Kur s’ka rrugë tjetër, fqinjët demokratikë kanë të drejtë të ofrojnë ndihmë urgjente të legjitimuar nga e drejta ndërkombëtare”. Përkthyer në gjuhë më të kuptueshme: regjimi serb e ka shpërdorur pushtetin shtetëror në mënyrë terroriste dhe ka synuar të shfarosë shqiptarët, andaj “fqinjët demokratikë” të Kosovës (shtetet perëndimore) me të drejtë i kanë dalë në ndihmë një populli në rrezik.

Gjithçka e qartë? Asgjë nuk është e qartë. Ndërsa më 1999 Habermas argumentonte në mënyrë të drejtë etike, morale dhe ligjore sa i përket obligimit të botës demokratike për të shpëtuar një popull nga rreziku i shfarosjes, më 2023 Habermas bën ca piruete të çuditshme dhe indirekt, në mënyrë subtile e cinike, ngre dyshime nëse ukrainasit janë komb. “Kjo përkrahje (nga bota perëndimore për Ukrainën) është e ndërlidhur me fatin e përvujtërisë të një popullsie, e cila pas shumë shekujsh nën sundimin e huaj polak dhe rus, por edhe austriak e ka arritur pavarësinë shtetërore tek me fundosjen e Bashkimit Sovjetik. Në mesin e kombeve të vonuara evropiane, Ukraina është kombi më i vonuar. Ajo mbase është ende një komb në krijim e sipër”, shkruan Habermas.

Ngjashëm kishte argumentuar më 2014, pas pushtimit të Krimesë nga Rusia, edhe ish-kancelari socialdemokrat gjerman Helmut Schmidt. Ai kishte thënë se ka dyshime nëse Ukraina është komb. Më 1999 Schmidt ishte kundërshtar i ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës. Nga këndvështrimi i tij arrogant-neokolonialist Perëndimi nuk duhet t’ua imponojë të tjerëve modelin e vet të të drejtave të njeriut. Por të drejtat e njeriut janë më shumë se model: janë e drejtë për jetë, në fund të fundit.

Habermas nuk shkon aq larg në rastin e Ukrainës, por edhe kjo çfarë ka thënë – boll është. Para një viti, pas sulmit rus kundër Ukrainës, Habermas botoi po ashtu në “Süddeutsche Zeitung” një shkrim. E nisi tekstin me konstatimin se kjo ishte lufta e parë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Pas intervenimeve nga gazetarët, shkencëtarët dhe lexuesit e vëmendshëm, gazeta e korrigjoi tekstin sepse, siç dihet, në vitet ‘90 diçka kishte ndodhur në Ballkan si pasojë e agresionit serb.

Paralelisht me apelin e Habermasit për negociata me Rusinë, në Gjermani është lansuar një “manifest për paqen”. Nismëtare janë ikona e feminizmit Alice Schwarzer dhe politikania komuniste Sahra Wagenknecht. Nuk duhet humbur shumë fjalë për këtë apel, ai është në thelb apel për plotësimin e kërkesave të Vladimir Putinit. Autoret e përdorin fjalën “Interessenausgleich” që i bie “balancim i interesave”. Ky balancim, sipas kësaj logjike, nënkupton që Ukraina pjesërisht duhet të nënshtrohet ndaj Rusisë.

Alice Schwarzer e ka kaluar jetën e saj aktive duke shkruar kundër patriarkalizmit e maskulinizmit toksik (kur këto fjalë nuk kanë qenë fare të pranishme në diskursin publik) dhe tani, në moshën 80-vjeçare, në mënyrë simbolike tenton t’i hidhet në përqafim sundimtarit në Kremlin. Krejt kjo në emër të paqes.

Deri nga fundi i javës apelin e Alice Schwarzer dhe Sahra Wagenknecht e nënshkruan mbi gjysmë milioni njerëz, mes tyre edhe Gregor Gysi, po ashtu politikan komunist, i cili shquhet për retorikën e tij shpesh brilante, ndonëse gati përherë të gabueshme sepse në esencë janë antiperëndimore. Edhe Gysi angazhohet për “negociata” me Putinin, ashtu siç angazhohej më 1999 për negociata me Sllobodan Millosheviqin. Madje në prill të atij viti vajti në Beograd, u rehatua në kanapenë e Sllobodan Millosheviqit, foli me të një orë për “zgjidhjen e konfliktit”, doli pastaj e tha se Millosheviqi nuk do të pranojë asnjë ushtar të NATO-s në Kosovë madje edhe nëse ata vijnë me mandat të OKB-së.

Gysi u shfrytëzua nga mediat serbe si “idiot i dobishëm”. Në një aksion propagandistik Gysi vizitoi fabrikën e automjeteve “Zastava” në Kragujevc dhe, sipas mediave serbe, akuzoi mediat perëndimore se po raportojnë pak për dëmet ndaj Serbisë dhe tepër mbi vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës.

Momentalisht majtisti me qëndrim më korrekt ndaj Ukrainës nuk vjen nga Gjermania, por nga Sllovenia. Në një bisedë me “Süddeutsche Zeitung” filozofi hiperaktiv Sllavoj Zhizhek tha: “Le ta marrim si shembull Ukrainën. Unë jam absolutisht për atë që ne t’i armatosim ata. Jo për shkak të idealeve utopike. Por duhet t’i keni parasysh alternativat. Nëse e tolerojmë Putinin, ai assesi s’do të ndalej”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit