Shqipëria U-16 zhvilloi pasditen e kësaj të marte takimin e parë miqësor kundër bashkëmoshatarëve italianë në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’. Ky takim u mbyll me rezultatin 1-5 në favor të të kaltërve.
Kuqezinjtë e drejtuar nga tekniku Bulku kaluan të parët në avantazh me Rifën, i cili mori një top nga mesi i fushës dhe nuk gaboi përballë portës italiane. Epërsia nuk zgjat shumë, pasi italianët barazojnë rezultatin pas 8 minutave, nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Italia përmbys rezultatin 10 minuta më vonë me Garofalon, pas një goditje me kokë të saktë brenda zonës, duke e dërguar topin në rrjetë. Në minutën e 43-të, axurrët realizojnë edhe golin e tretë me Maioranën. Pas një gabimi të portierit kuqezi, i cili në tentativë për të rinisur lojën, godet sulmuesin kundërshtar, i cili përfiton më së miri dhe e dërgon topin në rrjetë.
Në fraksionin e dytë trajneri Bulku bën disa ndryshime duke hedhur në fushë një pjesë të mirë të futbollistëve që ishin në stol. Miqtë realizojnë edhe dy gola të tjerë në këtë pjesë të dytë. Goli i katërt vjen në minutën e 72-të. Sakaq, edhe rrjeta e pestë për italianët ishte sërish një autogol i Renato Halilit.
Trajneri Ervin Bulku hodhi në fushë këtë formacion për Shqipërinë U-16: Alain Taho, Kleo Shpuza, Ergestino Pepnikaj, Renato Halilaj, Jetmir Laze, Mattia Huqi, Eraldo Karaj, Tedi Malaj, Matteo Dashi, Oresti Rifa, Xheto Joi Nuredini. Ndërkohë që vlen të theksohet fakti se në stadium ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm sportadësish.