Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj vazhdon takimet me strukturat e PD në të gjithë vendin.
Ndalesa e radhës ka qenë në Tiranë ku ka zhvilluar një takim me strukturat e degëve 2 dhe 4 në kryeqytet me fokus zhvillimet politike dhe zgjedhjet lokale të 14 majit.
Gjatë fjalës së tij, Alibeaj preku çështjet kryesore të situatës në vend dhe krizën e thellë në të cilën është futur shoqëria shqiptare sipas tij, si pasojë e keqqeverisjes së Edi Ramës.
Alibeaj tha se çështja McGonigal është një skandal për të cilin drejtësia duhet të thotë fjalën e saj, dhe se Rama duhet të përgjigjet për akuzën e rëndë të sulmit ndaj Partisë Demokratike përmes korruptimit të një zyrtari të FBI.
Enkelejd Alibeaj foli në takim si kryetar në detyrë i PD për organizimin e partisë dhe procesin elektoral të zgjedhjeve të 14 majit.
“Ndjesë që mblidhemi kaq vonë për të diskutuar dhe për të marrë vendime të mëdha” tha ai. Enkelejd Alibeaj po përgatitet që të dalë me listat e tij në zgjedhje paralelisht me Sali Berishën.