Shpëtimi i 9-vjeçares, Sam al-Sheikh Mohammed dhe vëllai i saj 15-vjeçar Omar nga rrënojat e një ndërtese në veriperëndim të Sirisë, rreth 40 orë pas tërmetit 7.8 ballë që shkaktoi vdekje dhe shkatërrim më 6 shkurt shkaktoi emocione në mbarë botën.
Dy fëmijët janë nxjerrë të plagosur rëndë dhe veçanërisht vajza e vogël rrezikon të humbasë të dyja këmbët.
Të enjten mbrëma ata u transferuan në një spital në Turqi, siç thanë zyrtarët lokalë për Agence France-Presse.
Ata janë të prekurit e parë të tërmetit nga Siria veriperëndimore që lejohen të kalojnë në Turqinë fqinje.
Korrespondenti i AFP pa dy ambulanca nga Turqia që kalonin postën kufitare Bab al-Hawa për të marrë dy fëmijët, të cilët shoqëroheshin nga babai dhe tezja e tyre.
Ashtu si të mbijetuarit e tjerë të bllokuar për orë të tëra në rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmetet e 6 shkurtit që vranë më shumë se 46,000 njerëz në Siri dhe Turqi, Sam vuan nga rabdomioliza traumatike, e cila mund të çojë në amputim, dështim të veshkave ose komplikime të zemrës.
Nëna dhe motra e saj u gjetën të vdekur. Babai dhe vëllai i saj Omari mbijetuan. “Gjendja e Sam është kritike”, tha babai i vajzës për AFP, duke shtuar se 15-vjeçari Omar u plagos në këmbë.
Një zyrtar shëndetësor në Idlib, i cili është nën kontrollin e forcave kundër regjimit, i tha AFP se vajza duhej të merrte “trajtim të specializuar që nuk është i disponueshëm” në atë zonë.
Qeveria siriane njoftoi më herët sot se kishte siguruar transferimin e gjashtë fëmijëve të plagosur në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas një burimi qeveritar, ishte bërë një propozim për transferimin e 9-vjeçarit Sam jashtë vendit, i cili u refuzua nga forcat anti-regjim që kontrollojnë këtë rajon në veriperëndim të Sirisë.