Numri i të vdekurve nga një anije e mbytur me emigrantë në brigjet e Italisë jugore është rritur në 61, tha një zyrtar sot, ndërsa kërkimet vazhdojnë për të zhdukurit.
Ditën e djeshme, një varkë prej druri që transportonte emigrantë në Evropë u përplas në shkëmbinj pranë Stecato di Cutro, një vendpushim bregdetar në bregun lindor të Kalabrisë.
“Gjithsej 61 të vdekur janë gjetur deri më tani ndërsa 80 persona janë shpëtuar,” tha Manuela Cura, një zyrtare e autoriteteve rajonale.
Varka mbante njerëz nga Afganistani, Irani dhe shumë vende të tjera, ndërsa viktimat ishin 12 fëmijë.
Bazuar në raportet nga të mbijetuarit, autoritetet besojnë se gjithsej 180 deri në 200 persona ishin në bord, shtoi Kura.
Anëtarët e Mjekëve pa Kufij (MSF), të cilët ishin në vendngjarje, thanë se po ndihmonin disa njerëz që humbën të afërmit në aksident.
“Ne kemi raste të fëmijëve që kanë mbetur jetimë, si një djalë 12-vjeçar nga Afganistani që humbi të gjithë familjen e tij, një familje prej nëntë anëtarësh, duke përfshirë katër motra, prindër dhe të afërm të tjerë të afërt,” tha Sergio Di Dato nga MSF.