Roma ka fituar derbin e javës në Serie A, pasi ka mposhtur Juventusin me rezultat të ngushtë 1-0.

Leonardo Spinazzola ishte i pari që rrezikoi për vendasit, por goditja e tij nuk ishte e fortë.

Rast të mirë pati edhe Paulo Dybala por goditja e tij u prit nga portieri mysafirë. E mundësia më e mirë iu dha Adrien Rabiot, por që gjuajtja e tij u ndal nga shtylla.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0. Pjesa e dytë nisi më mirë për Romën, kur kaluan në epërsi pas 10 minutave lojë.

Ishte minuta e 55-të kur në Olimpicon e stërmbushur u realizua një gol spektakolar.

Qendërmbrojtësi i Romës, Gianluca Mancini u asistua nga Bryan Cristante dhe me një gjuajtje të fortë nga rreth 30 metra realizoi për t’i kaluar Giallorosët në epërsi.

Pas golit të Romës, ishin mysafirët që krijuan më shumë, madje duke qëlluar edhe shtyllën 10 minuta para fundit të ndeshjes me Di Marian.

Juventusi mbeti me një lojtar më pak në fushë pasi Moise Kean u përjashtua me karton të kuq ngaqë goditi mbrojtësin e Romës, Gianluca Mancini.

Roma mori tre pikë shumë të rëndësishme në garë për një vend që i dërgon në Champions League.

Roma tani zë vendin e katërt me 47 pikë, derisa Juventus mbetet e teta me 12 pikë më pak.

Ndeshjen e radhës Roma e luan sërish vendas ku pret Sassuolon, derisa Juventusi përballet me Sampdorian para adhuruesve të tyre.