Ajo çfarë po ndodh në këto orë me PD është sa komike aq edhe tragjike. Pas vendimit të Gjykatës të Apelit u duk se një epokë e re po niste për PD. U krijua përshtypja se lidershipi i ri i saj do të regjistrohej në zgjedhjet e 14 majit me misionin për të ofruar një alternativë të re ndryshe nga ajo e Berishës që ka dominuar këtë parti prej 32 vitesh. Edhe pse Apeli duke rrëzuar Berishën ua krijoi këtë mundësi, treshja Basha-Alibeaj-Bardhi bënë diçka që askush me arsye të shëndoshë nuk do ta mendonte.
Ndërsa në vend që të dorëzonin dokumentacionin siç kërkon ligji për të regjistruar PD-në, ata shpikën një pseudo-autorizim të firmosur nga Basha gati një vit më parë dhe që i jepte të drejtën dyshes Alibeaj- Bardhi të drejtonte partinë në zgjedhjet që do të vinin një vit më pas. Ky autorizim jo vetëm që është kaq i pabesueshëm por dhe qesharak në të njëjtën kohë. Mjafton vetëm argumenti se pse nuk u publikua ky autorizim psh kur presidenti shpalli ditën e zgjedhjeve muaj më parë, apo çfarë do dite tjetër por u publikua vetëm dy ditë pasi Apeli i dha të drejtë Lulzim Bashës që të mbante për momentin ligjërisht drejtimin e PD . A do të kishte kuptim publikimi i këtij autorizimi “që ekzistonte prej një viti“ në rast se Apeli do t’ia jepte PD-në Sali Berishës? Sigurisht që jo sepse do të dukej shumë qesharak.
Madje treshja Basha-Alibeaj-Bardhi shkoi edhe më tej në manovrën e tyre hileqare sa nuk vendosën datën e zgjedhjeve tek autorizimi për të krijuar alibinë se Basha një vit më parë kur e firmosi, nuk kishte si ta dinte datën 14 maj pasi nuk ishte shpallur ende dekreti i Presidentit. Mirëpo si çdo hile e shkruar trashë ajo ishte e destinuar të dilte lakuriq. Kësaj radhe mjaftoi një nen i ligjit për regjistrimin e partive në zgjedhje ku kryetari i Partisë është i detyruar të firmosë angazhimin për zgjedhje të ndershme të subjektit politik që ai përfaqëson. Këtu doli zbuluar autorizimi i Bashës, pasi angazhimin për PD nuk mund ta firmosë Alibeaj, por vetëm kryetari që në këtë rast sipas gjykatës është vetëm Lulzim Basha. Kjo pikë e nenit në fakt nuk ka ndonjë vlerë ligjore por ka shumë vlerë morale . Pikërisht këtë vlerë morale lidershipi i ri i PD nuk arrin ta kuptojë dhe po përpiqet të mundë Berishën duke përdorur hile qesharake.
Edhe pse kryetari i KQZ Celibashi në një qëndrim korrekt i kërkoi këtij lidershipi të rregullojë dokumentacionin duke u bazuar tek ligji por edhe tek morali , çfarë bën treshja Basha-Alibeaj-Bardhi?- vazhdon të insistojë tek metoda e hiles duke mbajtur kësaj radhe ata peng regjistrimin e PD, për herë të parë pa Sali Berishën. Gjithçka është shumë e thjeshtë, mjafton që treshja Basha-Alibeaj-Bardhi të tërheqin autorizimin hileqar dhe të firmosin siç duhet dokumentacionin për regjistrimin e PD . Ata gjithashtu duhet të angazhohen publikisht se PD e re do të jetë ndryshe nga PD e Berishës. Në rast se nuk e bëjnë këtë akt publik dhe politik , atëherë jo vetëm që do të ngjajnë qesharakë në sytë e njerëzve por edhe do humbin rastin më të mirë për të shkëputur PD-në nga Berisha. Në fund të fundit nëse duan të mundin liderin e tyre historik, ai mundet vetëm me moral të ri dhe jo me hile.