KPK ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Rexhina Merlika, me arsyetimin se i janë gjetur shkelje dhe probleme me pasurinë.
Gjyqtarja Merlika e Gjykatës së Tiranës u përball të enjten më 9 mars 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Gjatë seancës dëgjimore kundërshtoi balancat negative të konstatuara për pasurinë.
Sipas relatimit, subjekti nuk kishte arritur të vërtetonte burimin e ligjshëm të disa huave. Dhe një pjese të dhurimeve nga vëllai, të cilat nuk ishin konsideruar në analizë financiare.
Ndërsa gjyqtarja Merlika pretendoi se kishte arritur të kundërshtonte barrën e provës me prova të reja. Komisioni nuk ka gjetur indicie në informacionin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Si dhe nuk u evidentuan gjetje domethënëse në kriterin e profesionalizmit.
Rexhina Merlika e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1989 si prokurore. Ajo është emëruar kryetare e Gjykatës së Krujës në vitin 1993. Prej vitit 2013, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Gjetjet për pasurinë
Për një apartament me sipërfaqe 105.13 m2 dhe një garazh 24 m2 të blerë në Tiranë në vitin 2012 kundrejt çmimit 145 mijë euro, Komisioni konstatoi mospërputhje të sipërfaqes dhe çmimit mes përcaktimeve në kontratën e shitjes dhe në atë të sipërmarrjes së vitit 2008, ku ishte përcaktuar vlera 172 mijë euro dhe sipërfaqe 115.29 m2.
Relatori Ilia tha se subjekti ka shpjeguar se ndryshimi i çmimit ka ardhur si pasojë e pakësimit të sipërfaqes.
Pagesat për shlyerjen e çmimit të kësaj pasurie kanë rezultuar se janë kryer pjesërisht me transferta bankare. Dhe pjesa tjetër është derdhur cash në arkën e shoqërisë ndërtuese.
Kësti i parë në shumën 62 mijë euro është shlyer me dy pagesa. Njëra me burim nga një depozitë në vlerën 35 mijë euro dhe pjesa tjetër cash.
Për pagesën e këstit të dytë në vlerën 30 mijë euro të paguar në vitin 2009, subjekti ka deklaruar një hua në shumën 20 mijë euro nga shtetasi A.L. dhe gjendjen e një depozite. Sipas Ilias, duket se huadhënësi nuk ka pasur mundësi për dhënien e shumës 20 mijë euro. Për rrjedhojë nuk është përfshirë në analizën financiare, çka ka sjellë bilanc negativ për shlyerjen e këstit të dytë.
Situatë e ngjashme ka rezultuar edhe për pagesën e këstit të tretë po në vlerën 30 mijë euro në vitin 2010. Detyrim për shlyerjen e të cilit Merlika ka deklaruar se ka shërbyer një hua në shumën 5 milionë lekë.
Komisioni vëren se subjekti ka pretenduar se për plotësimin e vlerës së këstit të fundit. Vlerë në shumën 25 mijë e 391 euro të shlyer në vitin 2011, ka shërbyer edhe një hua 15 mijë euro, e marrë pa afat.
Nisur nga fakti se huaja nuk është konsideruar si e ardhur në vitin 2011, nuk janë përfshirë në analizë si shpenzime as shumat e deklaruara se kanë shërbyer për shlyerjen e saj në vitet 2013 e 2014.
Gjyqtarja Merlika ka deklaruar dhurime nga tre vëllezërit e saj që jetojnë e punojnë jashtë shtetit. Sipas Ilias, janë konstatuar mospërputhje mes deklarimeve periodike. Por edhe shpjegimeve në pyetësorë lidhur me shumat e dhuruara.
KPK konstatoi se subjekti nuk ka vërtetuar të ardhurat e siguruara prej punës nga njëri prej vëllezërve që jeton në Gjermani. Ilia pohoi se subjekti ka pretenduar se gjendet në kushtet e pamundësisë objektive. Pasi kanë kaluar më shumë se 10 vjet. Dhe bankat nuk e disponojnë me dokumentacionin.
Sipas Komisionit, vërehen mospërputhje mes qëndrimeve të subjektit. Pasi për njërin prej vëllezërve shprehet se është në pamundësi objektive. Ndërsa për të ardhurat e vëllait tjetër që jeton po në Gjermani ka siguruar dokumentacion.
Si pasojë e këtyre konstatimeve, KPK ka vlerësuar paraprakisht se subjekti nuk ka vërtetuar ligjshmërinë e burimeve të kuzhinës dhe të një automjeti tip BMW, për të cilat ka deklaruar se rrjedhin nga dhurimet.
Po ashtu, Komisioni ka konstatuar se nuk është dokumentuar se pajisjet për kuzhinën janë dhuratë nga vëllai.
Nga hetimi administrativ ka rezultuar se subjekti ka përdorur për disa vjet një autoveturë tip Benz në pronësi të vëllait. Sipas Ilias, pak kohë pasi vëllai i gjyqtares e ka blerë këtë mjet. E ka përdorur kjo e fundit dhe bashkëshorti. KPK konstaton se Merlika nuk e ka deklaruar përdorimin e këtij mjeti deri në 2017-ën.
Komisioni ka vendosur të përfshijë me rezervë në analizën finnaicare një shumë prej 3.6 milionë lekësh të siguruar nga shitja e një prone të trashëguar nga bashkëshorti, pasi nuk është vërtetuar plotësisht kryerja e transaksionit të deklaruar.
Ilia pohoi se subjektit i është kaluar barrë prove për balanca negative në disa vite gjatë periudhës 2003-2016.
Gjyqtarja Rexhina Merlika paraqiti kundërshtime të detajuara për rreth tre orë të mërkurën. Ajo deklaroi në fillim se vlerësimi nuk duhej të kryhej vetëm në cilësinë e gjyqtares, por edhe si njeri, si bijë, nënë, motër e bashkëshorte.
Më tej, ajo paraqiti një panoramë të familjes së saj dhe të bashkëshortit, si motër e vetme mes tre vëllezërve, marrëdhëniet e shëndosha mes tyre, por edhe me vjehrrin e vjehrrën e saj.
Ajo pohoi se dy vëllezër kishin emigruar prej afro tre dekadash në Gjermani dhe një tjetër në Itali. Sipas saj, vëllezërit kishin punuar gjithmonë ndershmërisht, kishin pasur biznes në Gjermani si dhe nuk ishin penalizuar asnjëherë.
Merlika këmbënguli se vëllezërit kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për dhurimet e kryera. Ajo sqaroi se shumat i janë dhënë kur ata vinin në Shqipëri.
Për mjetin dhe kuzhinën e dhuruar nga vëllai i vogël, subjekti pohoi se kishte dhënë shpjegime dhe më parë në ILDKPKI.
Ndërsa për makinën në përdorim, sqaroi se vëllai e kishte blerë për vete që ta përdorte në Shqipëri. Ajo pohoi se në atë periudhë e kishin një automjet, ndërsa atë të dhënë në përdorim nga vëllai e kishin përdorur për rrugëtime më të gjata ose jashtë shtetit se ishte në gjendje më të mirë. “Është e provuar se vëllai e ka shitur vetë këtë makinë,” theksoi ajo.
Subjekti deklaroi se familja e bashkëshortit kishte zotëruar prona, një ullishte që nuk e kishin regjistruar dot, por prej nga kishin gjeneruar të ardhura. Megjithatë, ajo theksoi se këto të ardhura nuk i kishin përfshirë në deklarimet e tyre, me qëllim që të ishin sa më objektivë.
Ajo pranoi se mund të kenë pasur ndonjë pasaktësi në deklarime, por theksoi se kjo ka ndodhur pasi nuk kishin “asgjë për të fshehur”.
Lidhur me krjimin e depozitës së përdorur për pagesën e këstit të parë, subjekti kërkoi që analiza financiare të fillonte prej vitit 1989 e në vijim. Ajo tha se kishte pajtuar një ekspert që kishte kryer analizë financiare sipas një metodike të thjeshtë, që e nxirrte me bilanc pozitiv në masën 3.4 milionë lekë.
Në vijim ajo renditi versionin e saj për çdo zë të analizës financiare, duke pasqyruar edhe rrethanat e jetesës për çdo periudhë.
Sipas saj, në momentet kur ka lindur nevoja financiare për pagesën e kësteve, janë detyruar të marrin hua. Ajo shpjegoi se shtëpia që zotëronte bashkëshoti në Krujë nuk mund të shitej për çmimin real, si dhe banka nuk jepte kredi pasi vlerësohej në vlerë të vogël.
Subjekti këmbënguli se provohej se huadhënësit kishin pasur mundësi financiare për dhënien e shumave në fjalë. Për një prej huadhënësve që i ka dhënë shumën 20 mijë euro, shpjegoi se ai kishte ekonomi ndihmëse bujqësore dhe se së bashku me bashkëshorten kishin qenë gjithmonë të punësuar.
Për huadhënësin tjetër të vlerës 5 milionë lekë, ajo deklaroi se kishte vërtetuar se ai kishte punuar si fotograf, se kishte pasur një objekt që e kishte lëshuar me qira si dhe se ishte larguar në vitin 2004 për të jetuar e punuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe për huadhënësin e tretë për shumën 15 mijë euro deklaroi se kishte vërtetuar mundësinë e tij. Me argumentin se e bija ishte violiniste dhe jetonte e punonte në Australi. Ajo shtoi, se vetë huadhënësi punonte në shtet rregullisht pa shkëputje që para viteve ’90. Dhe se kishte punuar paralelisht dhe në një subjekt privat.
Për mospërputhjet e çmimit dhe shumës së paguar, Merlika deklaroi se kishte dorëzuar gjithë mandatet e pagesave që vërtetonin çmimin real të shlyer.
Figura dhe profesionalizmi
DSIK ka dorëzuar konstatim pozitiv për gjyqtaren Merlika. Megjithëse ka referuar dhe një informacion për dyshime për përfshirje në veprime të paligjshme. Gjithashtu edhe dhënien e një vendimi fiktiv.
Ilia tha se kjo çështje i përket një kohe të hershme që nuk përfshihet në periudhën e rivlerësimit. Ai shtoi se janë hetuar edhe dy çështje të tjera. Por nuk janë gjetur indicie dhe për rrjedhojë subjekti ka marrë vlerësim pozitiv për figurën.
Merlika shfaqi rezerva për informacionin e DSIK-së, duke e cilësuar të pavërtetë.
Për aspektin profesional u konstatua mospasqyrimi në vendim i parimeve të së drejtës së palëve. I datave të zhvillimit të seancave duke e bërë të pamundur konstatimin e kohëzgjatjes së gjykimit. Si dhe tejkalime të afatit 6 mujor në gjykimin e disa çështjeve.
Në një rast u vërejt se subjekti ka marrë vendim në kundërshtim me arsyetimin e saj. Pasi ka argumentuar mbi rrezikshmërinë e një personi të proceduar. Ndërsa ka caktuar masën e sigurimit personal “detyrim paraqitje”.
Për parimet e të drejtave të palëve, subjekti tha se ato nuk citohen gjithmonë. Por garantohen e zbatohen në kuadër të ofrimit të një procesi të rregullt ligjor.
Lidhur me caktimin e masës së sigurisë, subjekti shpjegoi se bëhej fjalë për kundravajtje penale. Dhe për rrjedhojë individi nuk mund të mbahej në burg. Ajo vërejti se kjo çështje nuk ishte ankimuar. Dhe se me vendimarjen i kishte përcjellë mesazh prokurorit që të përpilonte kërkesat bazuar në parimin e proporcionalitetit.
Në përfundim të seancës, gjyqtarja Rexhina Merlika deklaroi se i plotësonte kushtet për të vijuar detyrën. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 13 mars, në orën 09:45.