Dy subjektet politike nga Kosova dhe nga Serbia kanë nënshkruar sot një dokument dhe deklaratë të Njohjes Reciproke.
Partia Republikane e Serbisë dhe kryetari i saj, Nikola Sanduloviç si dhe Kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti platformën e pajtimit mes dy vendeve e ngrenë në nivel më të lartë ku u zotuan me Nënshkrim të Marrëveshjes mes Partive Republikane të Kosovës dhe të Serbisë për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane si dhe hyrje të përbashkët në BE dhe NATO.
E menjëherë pas kësaj ngjarje që edhe vet Sanduloviçi e ka quajtur historike, ka ardhur hakmarrje e parë e shtetit të Serbisë ndaj politikanit opozitarë në Serbi.
“Në lidhje me ngjarjen e sotme historike, policia serbe me urdhër të Bratislava Gashiçit dhe Presidentit të Serbisë po më mbajnë në kufirin Serbi-Kosovë në Merdare, duke mos më lejuar të hyj në vendin tim!,” ka shkruar Sanduloviç në Twitter.
Nikola Sanduloviç u shpreh se nuk është optimist sa i përket marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se pozicioni i tij në favor të njohjes së Kosovës është i natyrshëm pasi sipas tij faktet nuk mund të ndryshohen.
Për përkrahjen ndaj Kosovës, Sanduloviç ka thënë se kanë gjuajtur eksploziv tek ndërtesa e partisë së tij.
Sanduloviç në 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës bëri homazhe në Prekaz dhe ka kërkuar falje për krimet e kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës./ Telegrafi