Sot ishte planifikuar seanca e radhës gjyqësore për Fatjon Muratin me akuzën e armëmbajtjes pa leje, por që shtyrë për shkak të mungesës së avokatit të të akuzuarit tjetër, Kristian Gjini.
Fatjon Murati, përfshirjet e të cilit në botën e krimit dyshohet se u bënë shkak për ngjarjen e rëndë në Don Bosko me 1 të vrarë dhe 6 të plagosur, i shpëtoi “arrestit në burg” nga zbutja e akuzës së ngritur ndaj tij.
Ai u arrestua nën dyshimin se kishte një arsenal armësh të gjetura që në muajin Korrik në Tiranë. Por më 28 Dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Tiranës argumentoi se ai nuk kishte precedentë penalë, një qëndrim ky i mbështetur nga Gjykata që e la në “arrest shtëpie”.
Por për të njëjtin person, e njëjta prokurori, e cila ka të hapur ndaj tij një hetim për pasurinë dhe i ka sekuestruar 3 pasuri të paluajtshme dhe 3 biznese, 3 ditë pasi gjykata e la në burg në Tetor për arsenalin e armëve, mban një tjetër qëndrim.
Në vendimin e Gjykatës për sekuestron e pasurive të tij, në argumentin se pasuria e tij duhet të sekuestrohet, Prokuroria e Tiranës përmend se ai ka precedentë penalë në Itali.
Por edhe pse u la në arrest shtëpie, ai nuk e respektoi këtë masë. Policia thotë se kontakti i fundit me të ka qenë data 7 Mars, kur një oficer ka kryer procedurën e verifikimit të arrestit në shtëpinë e tij.
Në 12 Mars ditën që ndodhi masakra në “Don Bosko” në lokalin e tij policia i shkoi në shtëpi, por nuk e gjeti dhe dyshohet se është arratisur drejt Turqisë. Ai kishte kërkuar leje, por i ishte refuzuar dhe në fund u arratis.