I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar ishin shumë herë bashkë në Kosovë dhe Serbi kur tensionet mes dy vendeve rriteshin herë pas here.
Në synimin për arritjen e një marrëveshjeje, Escobar e ka bërë të qartë se formimi i Asociacionit është kërkesë e prerë për Kosovën. Tani, pak ditë para takimit të nivelit të lartë në fundjavë, si kurrë më parë, edhe Lajçak ka ashpërsuar retorikën duke thënë se Asociacioni “do të krijohet”.
Pas takimeve me Kurtin në Prishtinë dhe Vuçiqin në Beograd, i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak tha për televizionin publik serb se Asociacioni do të krijohet.
Paraprakisht, kjo u bë kërkesë e qartë e SHBA-së, por në Bruksel nuk është folur më qartë se këtë javë për çështjen më delikate aktualisht në bisedime.
“Autoriteti më i lartë i BE-së thotë se duhet të krijohet Asociacioni. SHBA thotë që Asociacioni duhet të krijohet. Pra duhet të krijohet Asociacioni dhe do të krijohet”, ka thënë ai.