Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të takohet nesër me zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Gabriel Escobar në Presidencë në orën 09:00.
Pas takimit, ata do të mbajnë një deklaratë për media në orën 10:00, ka njoftuar Zyra e Presidencës.
Gabriel Escobar, do të jetë pjesë e takimit të 18 marsit në Ohër. Ambasada amerikane në Shkup ka tregua për Radion Evropa e Lirë se diplomati amerikan do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Escobar do të udhëtojë për në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të mbështetur këtë proces,” kanë thënë për REL-in nga Ambasada e SHBA-së në Shkup.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të mbajnë takime dypalëshe me Kurtin dhe Vuçiq më 18 mars, ndërsa takimet pritet të nisin paraditen e së shtunës.
Ky takim do të jetë vazhdimësi e takimit të 27 shkurtit, ku Kosova dhe Serbia i kanë thënë “po” Planit të BE-së.
Në këtë takim palët do të diskutojnë për aneksin e Planit të BE-së.