I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në raundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Escobar do të udhëtojë për në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të mbështetur këtë proces,” thanë për REL-in nga Ambasada amerikane në Shkup.
Në takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, blloku evropian pret që liderët të pajtohen për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Kurti dhe Vuçiç më 27 shkurt u pajtuan se nuk ka më nevojë për negociata për propozimin dhe shprehën gatishmërinë për të punuar në planin e zbatimit.
Më 18 mars, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, fillimisht do të mbajnë takime dypalëshe me Kurtin dhe Vuçiç, dhe më pas është paraparë të mbahet takimi i përbashkët.
Takimet dypalëshe pritet të nisin paraditen e së shtunës. Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm që gjatë takimit të Ohrit të nënshkruajë propozimin evropian, por Vuçiç ka shprehur qëndrimin se nuk i shkon “në mendje” të nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.
Propozimi i BE-së synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të raporteve. Ky propozim ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara, që ka argumentuar se “nuk ka marrëveshje më të mirë”.