Nga Dylber Balla
Kryeministri Edi Rama i propozoi Presidentit Bajram Begaj emrin për të marrë drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Rama propozoi Vlora Hysenin, e cila më parë ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, por që është shkarkuar nga Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Por kush është Vlora Hyseni, përse është shkarkuar dhe si pritet që të ndikojë ky emërim i ri në Shqipëri në raportet mes dy vendeve? “5Pyetjet.al” kontaktoi ish-drejtorin e Policisë së Kosovës dhe aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, Rashit Qalaj. Ai vlerësoi integritetin e zonjës Hyseni dhe theksoi se shkarkimi që i bëri Kurti-Osmani ishte vetëm për shkaqe politike dhe jo profesionale.
“Unë e njoh personalisht Vlora Hysenin. Kam pasur një bashkëpunim shumë të mirë me të. Mendoj se është një propozim i qëlluar. Nuk e di si është gjendja e SHISH-it në Shqipëri, por mendoj se Hyseni është një zgjedhje e mirë” tha ai.
Shkarkimi? “Unë mendoj se shkarkimi i saj nuk ka të bëjë me atë që po thuhet në media, por mendoj se Osmani dhe Kurti e kanë shkarkuar se nuk i përket një rrymë politike dhe kanë bërë një gabim të madh” tha ai për Hysenin, e cila ishte emëruar më parë në postin e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës nga ish-Presidenti Thaçi.
Por a do të ndikojë emërimi i Hysenit në raportet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve? Qalaj e mohon që të ndodhë diçka e tillë. “Nuk mendoj sepse Hyseni është profesioniste e fushës. Ajo do te jetë udhëheqëse e mirë e SHISH-it. SHISH do të ketë edhe një bashkëpunim të mirë me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës” tha ai për “5Pyetjet.al”.