Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir meta ka zhvilluar pasditen e ditës së sotme një takim me gratë në zonën e Freskut ku u prezantua edhe kandidatja e partisë për këshilltare të Bashkisë së Tiranës, Silva Caka.
Meta gjatë fjalës së tij premtoi se do të ketë më shumë mbështetje për nënat e reja, si dhe garantoi politika të fokusuara tek familja.
“Sa më shumë investime për kopshte, shkolla të reja publike, sidomos në zona të tilla ku popullsia është rritur shumë herë në këto vite te fundit, aq më shumë lehtësira krijojmë për çdo nënë e familje.
E domosdoshme që për një vit ti paguhet leja e plotë nënës së re. Të trefishohet bonusi për bebet, aq më tepër që ka rënë edhe lindshmëria.
Gjithnjë e më pak guxojnë të bëjnë më shimë se dy apo një fëmijë. Është shumë e rëndësishme të ulim taksat dhe do t’i ulim taksat për pagat dhe të ardhurat për të gjitha nënat që kanë dy fëmijë dhe më shumë,” tha Meta.