Një grua nga Shqipëria, e martuar me një pjesëtar të komunitetit serb në fshatin Hoqë të Madhe të Rahovecit, ka vdekur në mënyrë misterioze ditën e shtunë. Mediat e Kosovës raportojnë sot se ngjarja ka ndodhur në spitalin e Gjakovës.
Fillimisht, sipas mediave të Kosovës, është raportuar se vdekja e 51-vjeçares ka ardhur si pasojë e dhunës fizike që dyshohet se kanë ushtruar bashkëshorti dhe vjehrra ndaj shqiptares. Por, versioni i policisë ka dhënë një tjetër version.
Nga stacioni policor në Gjakovë, të hënën, gazetës online Reporteri.net i kanë thënë se tek viktima, shtetase e Shqipërisë, nuk ka pasur shenja të dhunë fizike. Kjo sipas tyre është konstatuar nga raportimi mjekësor. Sipas policisë, mjekët kanë vërejtur vetëm pasoja të dhunës psikike nga ana e bashkëshortit të viktimës.
Vetë policia në raportin 24-orësh të datës 16 mars 2023 raportonte se më 15 mars 2023 rreth orës 08:50 viktima kishte denoncuar burrin dhe vjehrrin e saj për dhunë.