Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar ditën e sotme një bisedë telefonike me Presidentin e Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog.
Në këtë bisedë telefonike mes të krerëve të shtetit të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit, të dy liderët kanë biseduar për raportet mes të dy shteteve dhe mundësinë e thellimit të tyre.
“Presidentja Osmani dhe Presidenti Herzog, diskutuan për potencialin e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, trashëgimisë kulturore dhe inovacionit, ndërsa vlerësuan lartë partneritetin në rritje në mes të dy vendeve. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit diplomatik, për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare,” thuhet në njoftimin e presidencës.
“Presidenti Herzog e falënderoi përzemërsisht Presidenten Osmani për mbështetjen e Kosovës ndaj Izraelit, dhe e ftoi Presidenten Osmani për vizitë zyrtare në Izrael. Ai po ashtu shfrytëzoi rastin që t’ia urojë muajin e Ramazanit besimtarëve myslimanë, festën e Pashkëve besimtarëve të krishterë, si dhe festën e “Passover”, besimtarëve hebre,” shtohet më tej në njoftim.
Në fund, Presidentja Osmani ka dërguar urimet më të mira për gjithë popullin e shtetit të Izraelit.