Të paktën 11 persona u vranë të enjten (23/3) në një operacion policor në një favelë pranë Rio de Zhaneiros, duke përfshirë kreun e një bande të trafikut të drogës që vepron në Brazilin verior, njoftuan mediat lokale.
Operacioni në Salgueiro, i vendosur në São Gonzalo, një periferi e shkatërruar e Rios, kishte për qëllim arrestimin e anëtarëve të Comando Vermelio të shtetit Para, të cilët ishin strehuar atje, tha policia. Faqja e lajmeve G1 tha se 11 persona u vranë, por autoritetet policore nuk e konfirmuan këtë numër.
Policia tha se operacioni është ende në vazhdim. Comando Vermelio është një nga organizatat kryesore kriminale në Brazil, kryesisht aktive në trafikun e drogës.
Guvernatori i shtetit Para, Helder Barbalio, tha në Tëitter se “Leonardo Araúzo, i njohur me emrin e koduar L41, i kërkuar nga policia, u vra në përleshje me forcat e rendit”. “Ai ishte udhëheqësi kryesor i organizatës më të madhe kriminale të Para dhe kishte drejtuar shumë sulme në Rio”, shtoi ai.
Operacioni policor shënjestroi autorët e një sërë sulmesh ndaj forcave të sigurisë në Para, si dhe liderë të tjerë bandash të përfshirë në sulmet e fundit në favelat në periferitë perëndimore të Rios, ku disa makina u dogjën të mërkurën.
Sipas G1, nga shkëmbimi i zjarrit janë plagosur dy gra të moshës 53 dhe 62 vjeç.
Guvernatori i shtetit të Rios, Claudio Castro, njoftoi arrestimin e dy drejtuesve të bandës që vepronin në shtetet Sergipe dhe Para.
Castro po i referohej gjithashtu një operacioni të dytë policor që u zhvillua në Mare, në veri të Rios, ku u arrestua kreu i një bande në Sergipe.