Sali Berisha u shpreh sot se fakti që Enkelejd Alibeaj, kryetar i komanduar i PD-së do të dalë në zgjedhje me kandidatët e tij nuk do të dobësojnë rivalët e “Primareve”. Ai theksoi se demokratët në këto zgjedhje do të ndahen përfundimisht nga grupi i “AliBashës” që sipas tij janë peng nga qeveria Rama.
“Alibasha, i lidhur në krim me Edi Ramën, siç e kam denoncuar, bashkë me Lul Bravën, po zbatojnë rigorozisht urdhrat e tyre. Nëse më pyet nëse humbet gjë PD, ju garantoj se vetëm fiton. PD ndahet përfundimisht nga një grup, nga disa pengje të shpërfytyruara, të marrë peng nga Edi Rama për lidhjet me krimet, për aktivitetet e tyre kriminale ose të familjarëve të tyre të ngushtë.
Në këtë aspekt, PD vazhdon si lokomotivë e idealeve, aspiratave më të mira të shqiptarëve. PD del nga kjo betejë shumë më dinjitoze, largohen prej asaj ata që nuk duhej të ishin kurrë në këtë parti, për implikimet e tyre. Kjo është ndarja përfundimtare dhe e bën PD-në shumë më të besueshme. Ata që mund të kenë pasur dyshimin më të vogël te fjalët që kam thënë për ta, tani del si drita e diellit se janë të vërteta” tha ai.