-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Viktor Malaj: Një marrëveshje “par excellence”

Kryesoret

Diplomacia është arti për t’iu treguar njerëzve rrugën drejt Ferrit në një mënyrë të tillë që ata të pyesin vetëm se në çfarë drejtimi duhet shkuar” – Uinston Çurçill 

Pas shumë ecejakeve të politikës dhe bashkësisë ndërkombëtare, u vendos që në Ohër të Maqedonisë të bëhej takimi i kushedisat midis presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Meqë s’po merreshin vesh prej shumë kohësh, diplomacia evropiane, në mënyrë humane, demokratike dhe të paanshme i parapriu takimit nëpërmjet pohimit të  raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, znj. Viola von Kramon. Zonja e nderuar, duke respektuar vullnetin e popujve përkatës, sidomos atij kosovar, tha se “Si Kurti, ashtu edhe Vuçiç e dinë shumë mirë se pala që e refuzon marrëveshjen, ose pala që tregohet jokonstruktive, do të izolohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht dhe do të fajësohet për dështimin. Kjo mund të çojë në një përkeqësim të marrëdhënieve me BE-në dhe në ndalimin e disa proceseve të rëndësishme”.

Drejtuesit politikë të të dy vendeve, gabimisht, e morën këtë pohim si presion dhe detyrim, prandaj vendosën të paraqiten në takim ku të pranishëm, si gjithnjë, do të ishin edhe përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së. Takimi do të zhvillohej në vilën ku pushonte dikur dashamirësi i madh i shqiptarëve dhe Kosovës, kroati Josip Broz Tito.

Në krye të tryezës së gjatë ndodheshin kumbarët e marrëveshjes e cila, një herë u shpall si Plani Franko-Gjerman dhe pastaj u tha se kuzhinieri ishte diplomacia e BE-së, e kryesuar nga z. Josep Borell, vendi i të cilit (Spanja) nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, megjithëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka shpallur legjitim aktin e pavarësisë së Kosovës.

Po kështu, i Dërguari Special i BE-së për dialogun Beograd- Prishtinë, sllovaku Mirosllav Lajçak, vendi i të cilit nuk njeh ende Kosovën si shtet të pavarur, u shpreh katër ditë para takimit se “Nëse nuk ka Asosacion (të komunave serbe në Kosovë), nuk ka marrëveshje”

Kur lexoi këto pohime, një kasap në Prishtinë, të cilit i pëlqen leximi i gazetave, kërceu përpjetë dhe, me zë të lartë tha: “Heu bre! Po krejt puna qenka me krijue Zajednicën (Asosacionin e Komunave Serbe) kurse të tjerat vikan mbrapa dhe qenkan pa randsi. Pra, ne u dashka me krijue dhe me njoftë një bashkim komunash serbe që përbëjnë 7 për qind të popullsisë së Kosovës, kurse Serbia dhe ata që rrinë në krye të vendit në dialogun Kosovë-Serbi nuk po e konsiderokan të rëndësishme krijimin dhe njohjen e shtetit të Kosovës ku popullsia shqiptare përbën 90 për qind të banorëve!…”.

Kolegu i tij serb ia priti me shpoti: “Ju na njihni Zajednicën, ne ju njohim targat. A pak po të duket, a?!”.

Pasi u ulën në dy anët e tryezës “diplomatike”, serbi Vuçiç iu drejtua shqiptarit Kurti:

– Zdravo gospodin!*

– Unë jam Albin e jo gospodin bre Aleksander,- u përgjigj Kurti.

– Nuk po ju njoh,- e ndërpreu Vuçiç.

– Nuk ke faj,- vazhdoi pak i tensionuar z. Kurti,- unë jam ai Albini që qeveria jote më pati burgosur, rrahur dhe dënue me 15 vjet burg në vitin 1999 vetëm pse protestova kundër zaptimit të Universitetit të Prishtinës nga policia juaj dhe pata kërkue me u shkëput prej jush si të gjithë popujt e ish-Jugosllavisë.

– Nuk jua kam unë fajin për këtë,- e ndërpreu Vuçiç,- unë jam një politikan i moderuar e demokrat dhe këtë e dëshmon fakti se sa mirë më presin e përcjellin kancelaritë evropiane.

– Qysh bre, ti demokrat! Po qysh kur?- ia priti Albini,- A nuk je ti ai Aleksandri që ke qenë Sekretar i Përgjithshëm i partisë nacional-fashiste të kriminelit të luftës Vojosllav Sheshel, i dënue prej drejtësisë evropiane për krime kundër njerëzimit? A s’ke qenë ti Ministër i Propagandës në qeverinë e kriminelit tjetër të luftës, Sllobodan Millosheviçit që më cilësoje mua terrorist, irredentist dhe kriminel?

– Qetësohu o shiptari,- ia ktheu Vuçiç.- Për shumicën e evropianëve, ne serbët jemi demokratë edhe kur shpallemi nacional-fashistë, edhe kur pushtojmë territoret e të tjerëve, edhe kur vrasim e masakrojmë popullsi të tëra, edhe kur shkruajmë në kushtetutën tonë se territoret e huaja janë pjesë e shtetit të Serbisë, se nuk do i njohim shtetet fqinje pasi kemi ndërmend t’i sulmojmë e pushtojmë sapo të krijohen kushtet e përshtatshme ndërkombëtare, sepse ne jemi popull i zgjedhur dhe i paracaktuar për të sunduar Ballkanin…

– Mjaft më!- bërtiti Kurti. – Kosova është e pavarur dhe e tillë do të jetë përjetë. Ju rren mendja kot ju serbëve…

Kur e panë se situata po tensionohej, ndërhynë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të pranishëm në takim, dhe kërkuan tolerancë nga të dyja palët si dhe të flisnin në anglisht në mënyrë që të merrnin vesh edhe ata çfarë po ndodhte. Ata thanë se palët janë të barabarta në këtë dialog, megjithëse njëra prej tyre, Serbia, nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe, me kushtetutë zotohet ta gllabërojë në të ardhmen.

– Në emër të shtetit të Kosovës, unë kërkoj që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe pastaj të bisedojmë si të barabartë, – tha kryeministri Kurti.

– Ç ‘janë këto budallallëqe?!, – pyeti presidenti Vuçiç. – Për këtë na keni thirrur këtu? Jua kam përsëritur dhjetëra herë se kjo s’ka për të ndodhur kurrë, dhe pikë!

Të merakosur për gjendjen shpirtërore të Vuçiçit dhe krejt popullit serb, përfaqësuesit ndërkombëtar ndërhynë duke e qetësuar me këshilla diplomatike të tilla, si: Mos u shqetësoni! Në Projekt-Marrëveshje dhe as në Aneksin për Zbatimin e saj ne nuk e kemi vënë askund këtë kusht. Si mund t’i imponojmë ne njohjen e shteteve fqinj një vendi si Serbia që ka kërkuar të anëtarësohet në BE, megjithëse zgjidhja e mosmarrëveshjeve me shtetet e tjera është kusht për pranim?!

Përfaqësuesi tjetër i huaj shtoi se: Ne do ta formulojmë marrëveshjen të tillë që “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”, gjithmonë bëhet fjalë për hellin serb, pra do të shkruajmë jo përcaktime të qarta por fraza dhe shprehje me nënkuptim si: “Kosova dhe Serbia angazhohen të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes… në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim” etj. Meqenëse i trajtojmë të dyja shtetet si të barabarta, ne po vendosim si kusht taksativ vetëm krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

– Ç’ka do me thënë “asosacion”, bre zotni?- briti Albin Kurti. – A doni ju që të krijohet shtet brenda shtetit në Kosovë, një tjetër “Republika Serbska” si ajo e Bosnjes?!

– Jooo! Kurrsesi!- ndërhyri një tjetër evropian paqedashës dhe i ndershëm.- Ne kemi vetëm hallin që të respektohen si duhet serbët në Kosovë, të kenë mundësi bashkëpunimi e ndërveprimi në fushat ekonomike e kulturore…

– Po, kush asht ka i pengon more zotni?- vazhdoi Kurti. – A nuk munden ata me bashkëpunue sa herë të duan edhe në gjendjen aktuale?  Ju flisni për marrëveshje e bashkëpunim, qarkullim njerëzish, mallrash e shërbimesh midis Kosovës dhe shteteve të tjera të Ballkanit, përfshi Serbinë, kurse tash po na thoni se serbët në Kosovë nuk mundkan me i ba këto pa krijue një Asosacion që do të jetë mollë sherri edhe për njëqind vitet e ardhshme.

Ndërsa presidenti serb ndiqte dialogun me buzëqeshje, njëri nga ndërmjetësit evropianë pohoi se Evropa dhe SHBA kishin si qëllim paqen dhe stabilitetin në Ballkan, madje dhe pajtimin, prandaj kishin shkruar në Marrëveshje dhe në Aneks se palët “bien dakord të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur…”.

– Po, pse shkruhet palët?- ndërhyri Kurti. – Këtu ka një palë që ishte okupuese dhe ka zhdukur mijëra persona dhe kjo palë përfaqësohet nga z. Vuçiç. Ai duhet të zotohet për bashkëpunimin, gjetjen e personave të zhdukur. Këtu nuk jemi dy palë të barabarta. Njëra përfaqëson pushtuesin e dhunuesin, ndërsa tjetra viktimën. Nuk kemi luftue ne në Serbi, por ka ardhë Serbia tek shpijat tona me na vra e shfarosë. A nuk ju kujtohen shpërnguljet e qindra mijëra kosovarëve nga vendi i vet në vitin 1999 ? Po, sa shpejt i harruet bre?! Zotni Vuçiçi pretendon se ka ardhë me u marrë vesh me mue por, nga ana tjetër thotë se nuk më njeh dhe as do më njohë si përfaqësues i një populli sovran. Atëherë pse ka ardhë këtu xhanëm? Me luajt teatër?!

Diskutimet vazhduan gjatë. Ato nuk kishin të bënin shumë me thelbin e problemeve, por me mënyrën e formulimit të pikave të marrëveshjes. Duheshin formuluar në mënyrë të tillë, as mish, as peshk, që t’iu jepnin mundësi dy drejtuesve shtetëror t’i paraqisnin si arritje e suksese përpara popujve të tyre, ndërsa liderve evropianë t’iu krijohej mundësia ta paraqisnin në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm si zgjidhje në shërbim të paqes, megjithëse nuk përmban asnjë element të tillë.

– A t’i formuloj unë kriteret e Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe pastaj ta firmosim marrëveshjen?- propozoi z. Kurti.

– Kurrsesi,- ndërhyri Aleksander Vuçiç. – Unë nuk firmos asnjë marrëveshje me Kosovën sepse Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht ndërsa Kosova nuk është. Dhe, nuk dua të bëj marrëveshje juridike ndërkombëtare me Republikën e Kosovës.

– Po, atëherë, pse na ke pru deri këtu zotni Aleksander, a me pjekë gështenja?- u hodh Kurti. – A nuk ke frikë ti nga këta ndërkombëtarët që kanë pohuar disa herë se “kush refuzon nënshkrimin e marrëveshjes do të izolohet ndërkombëtarisht?”.

-Dëgjo z. Kurti! – u përgjigj presidenti serb.- Ti je ende i ri në politikë dhe nuk e di se diplomacia, sidomos ajo evropiane, zakonisht, tjetër thotë e tjetër bën. Pastaj unë e kam një justifikim të mjaftueshëm sepse e kam të sëmurë dorën e djathtë me të cilën firmos marrëveshjet. Për sot mjafton të pohojmë me gojë se jemi dakord, të bëjmë një marrëveshje xhentëlmenësh dhe të premtojmë se do e zbatojmë. Të gjithë këta burra në krye të tryezës e dinë se, historikisht, politikanët serbë kanë qenë të fjalës e të besës.

Kurti gati ngriu dhe po shikonte me habi se si përfaqsuesit ndërkombëtarë e pritën me buzëqeshje e gëzim propozimin serb dhe, duke tundur kokat në shenjë miratimi, belbëzuan: Dakord, dakord! Le ta bëjmë si burrat. Ta quajmë “Marrëveshje Publike” dhe kështu do të kemi siguri për zbatimin e marrëveshjes.

Opinioni botëror filloi të “çlirohej” nga ankthi sapo u përhapën në eter deklarimet e diplomacisë ndërkombëtare. Shefi i diplomacisë evropiane, z. Borell pohoi se “I kam njoftuar ministrat për Marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës e Serbisë. Është arritje e madhe në procesin e normalizimit midis tyre. Krijon një status-quo të re në dialog. Disa gjëra janë më urgjente. Kosova është e përkushtuar që menjëherë të krijojë Asosacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

Njerëzit që lexuan pohimin e Borellit pyesnin veten se cila është kjo “status-quo e re”, pse krijimi i Asosacionit ishte diçka “urgjente” që duhej realizuar menjëherë, pse s’u firmos marrëveshja nga palët etj. Pastaj, ata u turbulluan akoma më shumë kur lexuan pohimet e përfaqësuesit amerikan, z. Gabriel Eskobar, i cili tha se “Për Kosovën është e rëndësishme të nisë bërjen e versionit për themelimin e Asosacionit të Komunave Serbe… Kjo Marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës e Serbisë…”.

Pyetjet që lindni ishin: Themelimi i Asosacionit është i rëndësishëm për Kosovën, apo për Serbinë? Si mund të pajtohen dy popuj dhe shtete kur njëri ka qenë për një shekull pushtues e dhunues e tjetri viktimë si i pushtuar dhe, për më tepër, njëri prej tyre, pushtuesi nuk e njeh tjetrin, por zotohet me kushtetutë ta gllabërojë në të ardhmen?!

Skeptikët u qetësuan disi kur dëgjuan z. Kurti të shpjegojë se “Marrëveshja e arritur nënkupton “njohjen e ndërsjellët de facto. Bëhet fjalë për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”. Nga ana tjetër, z. Vuçiç, megjithëse refuzoi firmosjen e marrëveshjes, deklaroi se: “Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”. Çudia që lind është se pse dikush nuk pranon të firmosë për gjëra që i shkaktojnë kënaqësi.

Ndërsa lidhur me pohimet e Kurtit, një këpucar në Tiranë po pyeste veten se çfarë donte të thoshte “nivel adekuat i menaxhimit”, dhe përse nuk u bë një marrëveshje e tillë që, ashtu si “njohjen e ndërsjellët de facto”, ta linte të nënkuptuar edhe krijimin e Asosacionit serb në Kosovë. Paqartësitë e tij u përpoqën t’ia davarisin dy intelektualë tiranas që u paraqitën aty për t’iu lyer këpucët. Njëri shpjegoi se Marrëveshja e Ohrit ishte sui generis, domethënë e pa shoqe, e një lloji krejt të veçantë, ndërsa tjetri këmbëngulte se ajo ishte një Marrëveshje par excellence, domethënë e nivelit më të lartë, më e mira e mundshme.

Këpucari që dëgjonte, ndërsa lyente këpucët, ngriti kokën dhe tha mendueshëm: Për mua, kjo është Faqja e Zezë, madje nuk është fare marrëveshje, por lojë e diplomacisë botërore, siç ka qenë prej më shumë se një shekulli.

– Na fal zotëri këpucar,- ndërhyri autoritetshëm intelektuali i dytë,- por është vështirë të kuptohet termi par excellence pa pasur arsimin e duhur. Marrëveshja është e tillë pasi bëhet me gojë e jo me shkrim, nuk firmoset prej askujt dhe, mbi gjithçka, të gjitha palët ranë dakord të bëjnë diçka që s’do ta bëjnë, të mashtrojnë të tjerët dhe njëkohësisht edhe veten e tyre. Dhe, kjo nuk ndeshet shpesh në histori.

– Iu daltë për hajër! – u përgjigj këpucari./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit