Numri i paktë i kandidatëve garues për zgjedhjet vendore i heq mundësinë Enkelejd Alibeajt të renditet ndër të parët në fletën e votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar një mënyrë të re të hedhjes së shortit, i ndarë në 4 faza.
Në fazën e parë do të përfshihen partitë politike të cilat kanë kandidatë për çdo zonë zgjedhore, rrjedhimisht partia Socialiste dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë”, të cilat do të kryesojnë fletën e votimit.
Në fazën e dytë i hapet rruga Enkelejd Alibeajt pasi përfshihen partitë që kanë listë të këshillave bashkiakë në çdo bashki, duke e renditur atë në fletën e votimit pas PS, dhe koalicionit Berisha-Meta.
Në fazën e tretë përfshihen në short subjektet zgjedhore të cilat kanë regjistruar listat shumëemërore deri në 30 zona zgjedhore. Në këtë fazë do të përfshihet partia “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorrit.
Ndërsa faza e katërt i jep mundësinë vendosjes në fletën e votimit të kandidatëve të pavarur, që rrjedhimisht i bie të jenë në fund të listës.
Numri i saktë i garuesve të Enkelejd Alibeajt në zgjedhjet vendore vijon të mbetet mister, ndonëse afati zyrtar për dorëzimin e tyre ka përfunduar./klan