Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet saktë dhe sa më shpejt. Ndërkohë që ka shtuar se me urgjencë është çështja e të pagjeturve në kuadër të saj.
Kreu i qeverisë së Kosovës tha para mediave në Bruksel, se më 4 prill, do të diskutohet çështja e zbatimit të marrëveshjes. Ai ka komentuar deklaratën e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrel, se është urgjente themelimi i asociacionit, Kurti deklaroi se deklaratat politike nuk duhet të vendosen para marrëveshjes bazë.
“Takimi në javën e parë të prillit, që do të mbahet në Bruksel nuk do të jetë ndërmjet meje si kryeministër dhe presidentin e Serbisë, por do të jetë ndërmjet kryenegociatorëve. Më 4 prill në Bruksel, ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakorduar.
Pra ka marrëveshje, ekziston marrëveshja, ajo është shumë e qartë dhe publike për të gjithë dhe kemi nevojë për zbatim të saktë dhe të shpejtë të saj. Prandaj edhe do të organizohet një takim ndërmjet kryenegociatorëve, ku nga ana e Republikës së Kosovës është zëvendëskryeministri Besnik Bislimi”, ka thënë Kurti.