Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj të seancës që po mbahet në kuadër të Samitit për Demokraci, i organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka ftuar shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë, duke argumentuar se do të fitonin një aleat të përkushtuar dhe jo vetëm një vend mik.
Osmani theksoi renditjen e Kosovës si vendi me demokracinë e tretë më të avancuar globalisht. Ajo tha se 24 vite pas ndërhyrjes humanitare të NATO-s për të ndaluar gjenocidin serb, Kosova e ktheu dhimbjen në forcë dhe shqiptarët e larguar i rikthyen në shtëpitë e tyre që i kishin braktisur më herët.
“Vite pas pas vdekjeve dhe shkatërrimit, njerëzit tanë u rikthyen për të gjetur shtëpitë dhe institucionet e vendit të djegura nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit. Jemi ngritur nga hiri si komb ndërsa 15 vitë më parë Kosova deklaroi pavarësinë dhe formoi institucionet që tashmë janë mishërim i lirisë dhe demokracisë. Kemi bërë rrugë të gjatë që atëherë, sot Kosova është një shtet i fuqishëm, demokratik, i pavarur dhe liri dashes dhe po këtë vit është renditur si demokracia e tretë më e avancuar globalisht,” shtoi Osmani ndër të tjera.