“A të bën logoja kryetar? Kjo është një nga ato pyetjet retorike. Nuk të bën logoja kryetar, sikurse nuk të bën kryetar as vetëm vula. Por ky nuk është problemi kryesor, nuk është problemi për të gjetur fajtorin sot.
Nuk është problemi për t’i thënë dikujt ti nuk je i zoti, apo pse u katandis partia me 11 kandidatë. Problemet janë aq të mëdha në PD, të strukturuara vit pas viti, sa sot është tërësisht e vështirë dhe fatkeqësisht mesa duket do të duhet të bëhet ende më keq për t’u bërë nesër më mirë”.
Kështu deklaroi sot Majlinda Bregu, e cila në cilësinë e sekretares së përgjithshme të këshillit të bashkëpunimit rajonal mori pjesë në aktivitet për procesin e Berlinit. Kritikat i kishte të forta për Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, që dhuratë pas dhurate që morën PD-në, tani sipas saj e shkatërruan.
“Deri diku besoja se ai shembulli i keq i dhënë në momentin kur Lulzim Basha mori një parti dhuratë dhe nuk diti ta menaxhonte, përveçse e shkatërroi, do të ndalej me të, por mesa duket nuk u ndal. Domethënë partia dhuratë që mori Lulzim Basha i shkoi dhuratë Enkelejd Alibeajt dhe ja ku jemi”.