Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas gjatë një konference me kryeministrin Edi Rama theksoi se rritja e pagave nuk është e mjaftueshme për të frenuar emigracionin e të rinjve.
“Jemi njohur me këtë nismë. Dëgjoni, çështja e emigracionit është komplekse. Pagat janë një pjesë e rëndësishme e saj. Por po kështu, kur shohim, flasim me të rinjtë. Nuk është vetëm çështja e pagave, por edhe mundësive për të zhvilluar aspiratat që kanë.
Për të pasur një punë jo vetëm të mirë tani, por për të ecur përpara. Ne mendojmë se kur hedhim sytë pas për të trajtuar emigracionin duhet të theksojmë që sektori privat të jetë më aktiv.
Ka shumë investime, por ka më shumë potencial për të krijuar vende më të mira pune. Sa u takon pagave në këtë pikë, ka një paketë masash që përfshinë jo vetëm vlerësime për shpenzime, por edhe mbledhjen e të ardhurave dhe mendojmë se kjo është e rëndësishme” tha ai.
Por a rrezikon rritja e pagave, thellimin e borxhit? Kreu i qeverisë e mohoi këtë. “Ne nuk do të marrim borxh për të rritur pagat. Do të rrisim pagat dhe do të ulim borxhin, sikur e kemi ulur gradualisht.
Rritja e pagave është domosdoshmëri e mundshme. Është një rritje shumë e lartë në raport me të gjitha rritjet e bëra në të shkuarën, por e kalkuluar dhe e qëndrueshme” tha ai.









