Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Shkëlqim Mustafa.
Mustafa u shkarkua më 13 janar të vitit 2021 nga detyra e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, pasi u ngritën dyshime për veprime fiktive në shitjen e një apartamenti, me qëllim justifikimin e pasurive të tjera, si dhe u konstatuan fshehje, deklarim i rremë, mosdeklarime dhe mungesë burimesh financiare për krijimin e pronave që zotëron.
Nga ana tjetër, Mustafa u vlerësua pozitivisht për figurën dhe me nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.
Kujtojmë se Mustafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si prokuror në Gjirokastër, pozicion që e ka mbajtur deri në 98-ën. Po atë vit është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, ku e ka ushtruar detyrën deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Mustafa u transferua si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.
Ndërsa nga 2013 e deri në vitin 2021, Mustafa ka punuar në Gjykatën e Apelit të Tiranës.









