Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se nuk e kupton se si Qeveria e konsideron sukses faktin që e ka rritur buxhetin dhe s’ka bërë investime kapitale.
Haradinaj tha në Kuvend se për këtë dikush “ish dashtë me shku në burg”.
“Ju siguroj se dikush ish dashtë me shku në burg që dikush e ka mbajtë peng paranë e Kosovës dhe nuk e ka çuar te qytetari. Njëra nga arsyet pse e kemi gjendjen pa shpresë në vend është ndërprerja e krejt investimeve kapitale”, tha ai.
Haradinaj tha se ka dy vjet që “kryeministri ynë nuk e ka fut një cent në projekte kapitale”.
Kjo, ai tha se “nuk quhet sukses në asnjë vend të botës”.
“Unë mendoj që ti e ke një strategji perfide, sa i përket buxhetit. Ti po do me i lodhë njerëzit, po do me i lodhë komunat, kryetarët e komunave, sipërmarrësit, po do me i lodhë qytetarët, me i kthy në skllavë, që ata me u varë prej teje kur po ua jep një lëmoshë”, tha Haradinaj, duke iu drejtuar kryeministrit Albin Kurti.
“Kjo është logjika jote. S’ka shpjegim tjetër”, tha ndër tjerash Haradinaj.