Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi mediet e lidhura me pushtetin në Beograd për frikësim të qytetarëve serb para zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave në veriun e vendit që pritet të mbahen të dielën më 23 prill, të cilat do të bojkotohen nga Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi.
Megjithatë ai shfaqi shpresën se votimet do të mbahen pa pengesa.
“Ne nuk kemi informacione të cilat do të na bëjnë të mendojmë që po përgatiten pengime të këtij procesi përveç frikësimit mediatik që vjen nga Beogradi”, tha kryeministri Kurti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve në veriun e Kosovës që të dalin në zgjedhje pasi sipas tij në veriun e vendit ka nevojë për legjitimitet demokratik dhe funksionim institucional.
“Mua më vjen keq që qytetarët serb të Kosovës i janë nënshtruar një propagande të egër të mediave nga Beogradi të cilat janë të afërta me pushtetin atje që të mos tregohen konstruktiv dhe të mos e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar”, tha kryeministri Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha javën e kaluar se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pa themelimin e tij serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e organizuara nga autoritetet e Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të hapen 19 qendra votimi, nga të cila 13 do të jenë lëvizëse.
Në garë për zgjedhjet që mbahen në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, janë gjithsej 11 kandidatë prej të cilëve dy të komunitetit serb.