Drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi ka bërë një tjetër goditje të dyshimtë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesin e tenderit emergjent për mirëmbajtjen në aksin Qafë Dushk – Sevaster për shkak të shembjeve. 180 milionë lekë është shpallur oferta fituese nga 223 që ishin vendosur në dispozicion.
Ky tender është kapur me “karton të kuq” nga faqja që monitoron prokurimet publike për shkak se janë skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera në garë duke lënë në fund të vetëm fituesin që është bashkimi i operatorëve “ERAL CONSTRUCTION COMPANY SHPK” dhe “DENIS-05 SHPK”.
Katër ofertat e tjera janë rrëzuar për shkak se sipas ARRSH-së kishin mangësi në dokumentacion. Gjithsesi dyshimet janë të forta.
Së dyti kompania “ERAL CONSTRUCTION COMPANY SHPK” me administrator Ervin Qëndron është denoncuar në media si lidhje e afërt e ish-kreut të ARRSH-së, Afrim Qendro, zyrtar socialist që në të kaluarën i janë besuar disa poste me rëndësi.
Së treti si ka mundësi që jepen 180 milionë lekë pa llogaritur TVSH-në që kapërcen 200 milionët për të mirëmbajtur një rrugë për të bërë disa gërmime dheu, sikur thuhet në preventiv.
Por nëse në këtë rrugë ka pasur rrëshqitje dherash, a nuk duhet të mirëmbahen nga firma që mirëmban këtë aks? E thënë më shkurt dhe qartë pse taksapaguesit duhet të paguajnë dy herë, edhe firmën që duhet ta mirëmbajë edhe një tjetër për të bërë disa gërmime dheu?