Kreu i KMSH Bujar Spahiu ka përcjellë një mesazh për të gjithë besimtarët për Fitër Bajramin duke bërë thirrje për të rinjtë të mos e braktisin vendin por të qëndrojnë këtu për të forcuar kombin e tyre.
MESAZHI:
Të dashur agjërues, Mëngjesi i kësaj dite është më i bukuri e më kuptimploti për të gjithë ne. Kemi Bajram dhe kjo na qëllon në ditën më të bukur të javës, ditë bajrami e xhumaje. Kemi përjetuar një muaj sakrifice dhe ngritje shpirtërore, e lusim Zotin të na ketë pranuar këtë sakrificë, Ai është shpërblyesi më i mirë.
Ky muaj na ka bashkuar në bamirësi e solidaritet, në paqe e dashuri me njëri-tjetrin.
Njeriu i sotëm ka rendur pas kësaj bote, pas pasurisë e pushtetit, duke harruar hyjnore dhe njerëzoren. Te Zoti i gjithësisë as njëra as tjetra nuk bëjnë dobi nëse nuk është devotshmëria.
Nuk është e askujt kjo botë, askush nuk e ka zotëruar e nuk do ta zotërojë kurrë.
Të dashur motra dhe vëllezër
Ramazani është adhurimi më intim i njeriut, ndaj edhe shpërblimin për të Zoti e ka vlerësuar shumë të madh.
Ramazani nuk është vetëm lënia e të ngrënit e të pirit. Ramazani është lënia e veseve, përgojimit, thashethemit, lënia e punëve të pa dobishme. Ashtu siç heqim një rrobë të pistë nga trupi për ta larë, ashtu shpreson edhe besimtari të ketë dalë sot, i pastër nga gjynahet, i falur e i mëshiruar nga Zoti.
Sfida fillon sot për çdonjërin prej nesh. Të vijojmë jetën me vitytet që kemi fituar në këtë muaj të begatë.
Ramazani na mëson që të bëhemi shërbëtor të së mirës dhe së drejtës.