Çfarë ndodhi me dosjet e Drejtorisë të Sigurimit Shtetëror (UDBA) pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe pse përmbajtja e tyre vazhdon të jetë, edhe më shumë se tre dekada më vonë, objekt debatesh?
Dokumentet e policisë sekrete janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pasi komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e përballur me akuza të vazhdueshme dhe të paprovuara se ka qenë bashkëpunëtore e shërbimit sekret jugosllav, dëshmoi para Parlamentit Evropian.
Ajo i shmangu të përgjigjet drejtpërdrejt në pyetjet lidhur me angazhimin e saj nga periudha kur Sllovenia, që është shteti i saj i origjinës, ishte pjesë e Jugosllavisë dhe kur Kos ishte gazetare. Në atë kohë, Kos ishte në të 20-tat.
Në atë periudhë, në territorin e shtetit që përbëhej nga gjashtë republika dhe dy krahina autonome, vepronte një shërbim i vetëm, Drejtoria e Sigurimit Shtetëror, e njohur me akronimin UDBA.
Nga ky shërbim, i konsideruar në masë të madhe si i diskutueshëm, pas shpërbërjes së Jugosllavisë u krijuan shtatë shërbime të veçanta sigurie. Nëse ekziston ndonjë gjurmë e lidhjes së ndokujt me agjencitë e sigurisë nga koha e ish-Jugosllavisë, më shumë se 30 vjet pas shpërbërjes së saj, kjo është e vështirë të vërtetohet.
Sa për rikujtim, Rezoluta e Parlamentit Evropian e vitit 2021 ka bërë thirrje për hapjen e arkivave të ish-Jugosllavisë, me fokus të veçantë në hapjen e dosjeve të UDBA-së.
Hapja e arkivave në vende si Gjermania Lindore, Republika Çeke dhe Polonia u realizua në valën e demokratizimit të vendeve të ish-bllokut lindor në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90.
Në të kundërt, në shtetet e ish-Jugosllavisë, të cilat u formuan në kushte konfliktesh, luftërash dhe shkatërrimesh, procesi i demokratizimit dhe transformimit të shërbimeve të sigurisë ka qenë më i ngadalshëm dhe i shoqëruar me shumë polemika.
Deri më sot, pothuajse asnjë shtet nuk e ka pastruar plotësisht këtë pjesë të së kaluarës së tij.
Çfarë ndodhi me dosjet në Slloveni?
Sllovenia ishte shteti i parë i krijuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë që i hapi arkivat dhe dosjet, thotë për Radion Evropa e Lirë, historiani kroat Mario Previshiq.
“Ishte veçanërisht interesante si për historianët dhe profesionistët e fushës, ashtu edhe për politikën”, thotë ai.
Sot, këto dokumente janë të qasshme në Arkivin e Republikës së Sllovenisë.
Siç theksoi në një përgjigje me shkrim për REL-in historiani slloven Bozho Repe, “arkivat nuk janë ruajtur në tërësi dhe nuk dihet as sa prej tyre kanë ekzistuar në përgjithësi, pasi pastrimi i materialeve është bërë të paktën dy herë – pas shkarkimit të Aleksandar Rankoviqit në fund të viteve ’60 dhe në fund të viteve ’80, kur supozohet se janë shkatërruar rreth 17.000 dosje”….(Shkrimi i plote ne REL)









