Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christopher Hill, tha më 24 prill se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të marrë një vrull të ri.
“Jam i kënaqur që ata po planifikojnë të takohen më 2 maj. Është e qartë se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Shpresoj që do të pasojë përparimi i plotë dhe i qëndrueshëm në dialog”, tha Hill në një deklaratë për mediat pas një takimi të Odës Ekonomike amerikane në Serbi.
Ai shtoi se pret që çështja e Asociacionit të jetë në agjendën e takimit të ardhshëm të përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.
“Ka disa arsye për këtë. Së pari, populli serb duhet të kuptojë se duhet të zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, që i kanë arritur njerëz seriozë në bashkësinë ndërkombëtare.
Arsyeja e dytë është se komuniteti serb në Kosovë duhet të kuptojë më mirë se cila është e ardhmja e tyre dhe këtë sigurisht do ta sigurojë Asociacioni”, theksoi Hill.
Në pyetjen e gazetarëve nëse SHBA-ja është e kënaqur me hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për themelimin e Asociacionit, Hill tha se më shumë për këtë do të dihet kur Asociacioni i komunave të jetë në agjendën e dialogut.
“E përsëris, kjo është një temë që vazhdon prej 10 vjetësh dhe duhet të trajtohet dhe zbatohet”, tha Hill.