Policia e Shtetit ka organizuar një operacion në Shkodër, ku është bërë e mundur goditja e një rasti të trafikut të armëve, në kuadër të të cilit u sekuestruan sniper, pushkë e pistoletë.
Në kërkim u shpall 43-vjeçari Aleksandër Ibraj, që i mbante në banesë, ndërsa ka nisur hetimi në gjendje të lirë për nënën e tij.
“Shkodër/Operacion policor i koduar “Guns”, për parandalimin dhe goditjen e një rasti të dyshuar të shitjes së një arsenali armësh. Sipas informacioneve dyshohet se shtetasit që do t’i blinin këto armë, do t’i përdornin për të kryer krime ndaj personit dhe pronës.
Sekuestrohet një arsenal armësh (1 snajper, 1 pushkë, 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 armë sportive, 1 palë dylbi dhe municion luftarak për të gjitha llojet e këtyre armëve).
Shpallet në kërkim 43-vjeçari, poseduesi i arsenalit të armëve, i cili në momentin e kontrollit nuk u gjet në banesë. Procedohet në gjendje të lirë nëna e tij.
Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një arsenal armësh, konkretisht:
1 snajper, 1 pushkë, 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 armë sportive, 1 palë dylbi dhe municion luftarak për të gjitha llojet e armëve të gjetura në banesë.
Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, shtetasi A. I. nuk është gjetur në banesë, ndaj është shpallur në kërkim. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u procedua penalisht në gjendje të lirë nëna e shtetasit A. I., shtetasja L. I., 73 vjeçe.
Ndërkohë vijon puna për kapjen e poseduesit të arsenalit të armëve, shtetasit A. I. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim.”, njofton Policia e Shtetit.