Rënia e euros në kursin e këmbimit me lekun u thellua edhe shumë ditën e martë. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 111.34 lekë, në rënie me 0.47 pikë krahasuar me ditën e hënë dhe duke prekur një minimum të ri historik.
Që nga fillimi i vitit, kursi i euros ka rënë me 2.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia e euros ka arritur në 7.6%. Agjentët e tregut të këmbimit valutor dëshmojnë për ofertë shumë të lartë të valutës së huaj dhe sidomos të euros.
Oferta e bollshme e valutës ka qenë një tipar konstant në tregun valutor që prej vitit të kaluar, por në javët e fundit kjo ofertë po rritet edhe më shumë. Sipas ekspertëve, kjo mund të shpjegohet me një shtim të të ardhurave nga turizmi, efektin e përvitshëm sezonal të festave të Pashkëve, por ndoshta edhe me fushatën për zgjedhjet lokale të datës 14 maj.
Sipas tyre, periudhat para zgjedhjeve shoqërohen me flukse të shtuara të euros në tregun valutor, ndonëse është e vështirë të identifikohet burimi i këtyre prurjeve. Rënia e kursit të euros dhe mbiçmimi i monedhës vendase ka ndikime të rëndësishme në ekonomi.
Euro është monedha mbizotëruese në këmbimet e tregtisë së jashtme të vendit dhe mbiçmimi i lekut kundrejt saj i bën më të lira importet dhe po vazhdon të amortizojë një pjesë të shtrenjtimit të mallrave nga tregjet e huaja.