Parlamenti Evropian, në një raport kushtuar ndërhyrjes së huaj në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor, e ka dënuar mundësinë që Serbia i ka dhënë kanalit rus, Russia Today, për të përhapur fushatën e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ky kanal shtetëror i Rusisë është nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) për shkak se akuzohet se shërben për përhapjen e propagandës së Rusisë, ndërsa në Serbi ka hapur një zyrë dhe një kanal në gjuhën serbe.
Në këtë raport të përpiluar nga një komitet i veçantë i Parlamentit Evropian (PE) për ndërhyrje të jashtme, e që është miratuar të mërkurën në Komisionin e Politikës së Jashtme, nënvizohet nevoja që BE-ja në mënyrë aktive t’i kundërvihet propagandës së aktorëve që kanë qëllime të këqija në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe që kanë për qëllim dëmtimin e interesave dhe të vlerave të BE-së.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor në këtë raport vlerësohet si hapësirë në të cilën përballen interesat e ndryshme strategjike dhe se disa vende të rajonit, në veçanti Serbia dhe hapësirat e dominuara nga serbët janë të ndjeshme ndaj tentimeve për destabilizim.
Raporti përmend përdorimin e investimeve strategjike dhe fushatat e dezinformimit për të dëmtuar edhe reputacionin e BE-së dhe për të penguar proceset demokratike.
Si shembull përmendet edhe fushata që ka për qëllim zvogëlimin e orientimit euroatlantik të qytetarëve të vendeve të rajonit.
Rusia, sipas këtij raporti, përdor ndikimin e saj në Serbi duke tentuar që të destabilizojë vendet fqinje, për shembull: “Në Bosnje e Hercegovinë përmes Republika Sërspkas; në Mal të Zi përmes ndjenjave pro-serbe si dhe Kishës ortodokse serbe; në Kosovë duke përdorur mospajtimet ekzistuese në veri”.