Në fjalimin programatik që mbajti për Evropën në gusht 2022 në Pragë, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se “qendra e Evropës po lëviz drejt Lindjes.” Analistë të ndryshëm që kanë folur para dhe pas këtij fjalimi kanë mbështetur të njëjtën ide.
Me këtë kuptohet se ndikimi i shteteve të Evropës qendrore dhe Lindore, si Polonisë, Shteteve Baltike, por edhe i Suedisë në veri është forcuar ndjeshëm pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Kemi një forcim moral, legjitimim më të madh të pozicioneve të tyre politike. Pasi shihet i konfirmuar paralajmërimi që bënin ato prej vitesh për natyrën luftënxitëse të Putinit.
Njëkohësisht, shtetet më të mëdha të BE, Gjermania, Franca dhe Italia e shohin veten si objekte kritikash në BE. Këto shtete u gabuan në vlerësimin e Putinit. Gjermania nuk besoi që Putini do ta trondiste rendin botëror me një sulm masiv për të ndryshuar me forcë kufijtë në Evropë.
Ajo besoi se Rusia do t’i respektonte në çdo situatë marrëveshjet e favorshme për furnizim me gaz e naftë; ngjashëm u gjykua edhe në Itali, ku mbizotëroi gjatë tendenca për ta parë biznesin me Rusinë të ndarë nga politika. Kurse Franca u gabua për shkak të një admirimi tradicional për madhësinë e Rusisë (lexo KETU shkrimin e plotë).