Këngëtarja e njohur Valbona Mema ka folur për pjesëmarrjen e saj në “Big Brother VIP” dhe largimin në mënyrë të papritur nga loja, per shkak te gjendjes së rëndë shëndetësore të motrës së saj.
“Unë guxova si grua, si artiste, si nënë. U përpoqa të isha vetvetja”, tha Mema për eksperiencën e saj në këtë ‘reality show’, duke shtuar se mori pjesë që publiku që aq shumë e do dhe e mbështet, ta shihte edhe se si ajo ishte në jetën e saj të përditshme.
Valbona tha se nuk pati vështirësi të përshtatej me banorët e tjerë të BBV, të cilët më së shumti ishin në moshë më të re.
“E kam ndjerë veten njësoj me ta. Jam rritur në një familje të madhe, kam patur ëndërr të kem një familje të madhe dhe aty ishim si të tillë. I kisha si fëmijët e mi”.
Valbona gjatë qëndrimit në shtëpi ka patur një marrëdhënie të ngushtë me Luizin.
“Është një lojtar i fortë shumë, është artist i lindur. Në shpirtin e tij kishte një forcë të madhe. Çdo ditë zgjohej me gjëra të reja, mendonte për lojën, por edhe na qëndronte afër. Mendoj që e meriton fitoren”, tha Mema.
Ndërkohë shumë e komentuar ka qenë edhe marrëdhënia e saj me Armaldo Kllogjerin, ose siç njihet tashmë nga të gjithë si Maestro.
“Armaldo është një artist me shumë vlera, të cilin kisha shumë vite që e njihja pasi kam bashkëpunuar në dy nga albumet e mia”, tha ajo, duke sqaruar se jashtë shtëpisë ka një raport shumë të mirë me të, madje do të sjellin edhe një projekt muzikor bashkë.