Shoqatat e biznesit dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkojnë që qeveria të nisë bisedimet me grupet e interesit për hartimin e strategjive të reja që do të zgjidhnin problemet e kostove dhe mungesës së fuqisë punëtore.
Për shoqatat theksohet e domosdoshme edhe hartimi i një pakete mbështetëse financiare. Ministria e Financave ofron si zgjidhje vetëm miratimin e Garancisë Sovrane 4 ku përparësi do të ketë sektori fason. Për problematikën e fuqisë punëtore, ndërhyrjet janë parashikuar në strategjinë e re të punësimit për periudhën 2023-2030.
Prodhuesit përsërisin shqetësimin se nga rritja e kostove, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para, që pas krizës nga pandemia dhe luftës Rusi-Ukrainë, si dhe nga mungesa e lartë e fuqisë punëtore dhe rritja e vazhdueshme e pagës minimale pa përmirësuar produktivitetin, ata po humbasin konkurrueshmërinë.
Për shoqatat e biznesit, rritja e kostove te të gjithë prodhuesit vendas dhe shtimi i fluksit të importeve në treg janë alarme për falimentim dhe pasiguri ekonomike.
Në ndihmë të prodhuesve të goditur nga rritja e kostove, qeveria dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikojnë të miratojnë garancinë e katërt sovrane për sektorin fason.
“Bazuar në përvojën e mëparshme në dhënien e Garancisë Shtetërore 1 dhe 2 për mbështetjen e shoqërive tregtare në periudhën e pandemisë Covid-19, qeveria dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë po shohin mundësinë që të aplikojë mbështetje me garanci sovrane për sektorët më të prekur të ekonomisë, duke pasur si prioritet sektorin e manifakturës për prodhimet ‘Made in Albania’”, pohoi për “Monitor”, Ministria e Financave dhe Ekonomisë./Monitor
Artikullin e plotë e gjeni këtu.