Ish-kryeministri Sali Berisha ishte sot në një takim elektoral në zonën e Paskuqanit me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kamzës.
Ai deklaroi se sot vendi është në një diktaturë sepse të gjitha pushtetet janë të përqendruara në një dorë, ndërsa paratë publike po vidhen.
“Shikoni si transformoi monizmi njerëzit. Po marrim Rakip Sulin. Sot po marr vetëm një aspekt. Kamza, Paskuqani janë kthyer në shkolla me tre turne. A e dini se çfarë do të thotë shkollë me tre turne? Do të thotë arsim qesharak, do të thotë ska shkollim. Sa hyjnë dalin, sa shkojnë, nuk shkojnë. Po pse ndodhi kjo? Ndodhi sepse u përdor tërmeti për të shembur shkollat që nuk kishin asnjë krisje, dhe u bënë shkollat e fëmijëve viktimat më të para për të vjedhur këta qeveritarë të shpërfytyruar.
A mundet pra të vazhdohet në këtë mënyrë? Sa herë në çdo takim, kemi bërë thirrje urdhëro të dalësh në shesh para qytetarëve. Edhe këtu po deshi Edi Rama të vijë, të vijë në debat. Por debati është detyrim para jush, sepse kryeministri, presidenti, cilido rrogëtar i këtij shtetit paguhet me paratë tuaja, me taksat tuaja dhe ai ka detyrim të dalë para jush, ka detyrim ti kthejë xhepat para jush, ka detyrim të tregojë çdo qindarkë, ku i mori?
Por Edi Rama nuk del dot kurrë. Si mund të dalë ai që jeton në saraje. Kam qenë rrogëtar i këtij shtetit këto 30 vite, një apartament 130 metra kam. Absolutisht, pa kredi më të madh nuk e blija dot. Kjo është e vërteta.”, tha Berisha.