Ish-kryeministri Sali Berisha i kërkoi sot rivalit të tij, Edi Rama që të pranojë sfidën për debat publik, 12 ditë përpara zgjedhjeve lokale të 14 Majit. Ai tha se socialistët kanë frikë që të përballen.
“Një fushatë mediatike pa debat është një terr i vërtetë për qytetarët shqiptarë, të cilët dënohen të dëgjojnë fjalime të stisura, të mbushura me mashtrime nga rilindësit dhe nuk kanë mundësi për asnjë lloj llogaridhënie, për asnjë lloj transparence.
Refuzimi i debatit ka në bazë krimet e mëdha ekonomike, vjedhjen e madhe të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij vendorë. Refuzimi i debateve televizive ka në bazë transferimin e pasurive, fondeve te familjarë të Edi Ramës dhe në tërësi kryetarëve të bashkive në mbarë vendin. Ky refuzim ka në bazë frikën e tmerrshme nga veprimtaria antiligjore e këtyre përfaqësuesve” tha ai.
Më pas, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se i bëri serbët dhe shqiptarët kushërinj. “Sot, unë këtu dënoj me forcën më të madhe, deklaratën antishqiptare në Athinë të Edi Ramës. Për herë të parë në tërë historinë e Shqipërisë, në tërë historinë e Ballkanit dhe botës, një njeri i papërgjegjshëm deklaron se shqiptarët dhe serbët janë kushërinj.
Ku e bazon? E bazon vetëm në vasalitetin, në asgjë tjetër shqiptarët dhe serbët nuk janë kushërinj. Shqiptarët janë këtu që kur është krijuar kjo tokë. Serbët, sipas historisë së tyre, kanë ardhur këtu nga stepat në shekullin e gjashtë” tha ai.









