Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për mes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka kujtuar Masakrën në Studime të Vushtrrisë, teksa ai ndodhet në Bruksel në pritje të takimi të radhës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Kurti ka shkruar se gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet asnjëherë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.
“Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë. E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë”, ka shkruar Kurti.
Më tej ai i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë në Kosovë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës.
“Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë!”, ka përfunduar Kurti.
Postimi i plotë