Roli i Ekipit Menaxhues për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë përfundon vetëm kur ai statut të miratohet, prandaj, sipas Bashkimit Evropian, vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta shkarkuar atë është në kundërshtim me Marrëveshjen.
Kështu ka thënë të enjten në një konferencë për shtyp në Bruksel zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, duke u përgjigjur në disa pyetje lidhur me rolin e Ekipit Menaxhues.
Ekipi në fjalë, i përbërë nga katër serbë nga Kosova, mori pjesë në takimin e fundit të dialogut në nivel të lartë, ku edhe paraqiti draftin e parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, propozim i cili menjëherë u hodh poshtë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Për më tepër, Kurti tha se koordinatorja e këtij ekipi “është në konflikt interesi” sepse ajo ka dhënë betimin si deputete në Kuvendin e Republikës së Serbisë.
I pyetur se pjesë e cilit delegacion ishte Ekipi Menaxhues në takimin e fundit, Stano tha se ai ekip mori pjesë “si delegacion më vete” dhe se “ishin ftuar të vijnë dhe t’i bashkohen takimit për një pikë të rendit të ditës. Ata nuk ishin pjesë e asnjërit delegacion, as të Serbisë e as të Kosovës”, deklaroi Stano.
Zëdhënësi i BE-së tha se përbërja e këtij ekipi “është në përputhje me marrëveshjen e dialogut”.
“Palët ishin pajtuar rreth përbërjes së Ekipit Menaxhues. Anëtarët e Ekipit Menaxhues janë propozuar nga Serbia dhe zyrtarisht janë emëruar nga Kosova”, sqaroi Stano.
Sipas BE-së, tha Stano, “marrëveshjet e dialogut qartë thonë se ekipet menaxhuese duhet të ekzistojnë derisa të miratohet statuti i Asociacionit”. /REL
Artikullin e plotë e gjeni këtu.