Policia e Shtetit ka reaguar pas ngjarjes së raportuar se, në orët e vona të mesnatës ka pasur të shtëna armësh në dalje të qytetit të Pukës, në aksin rrugor që lidh këtë qytet me Fushë-Arrëzin.
Sipas Policisë, është bërë i mundur identifikimi i autorit të të shtënave, i cili është shtetasi K.P., 26 vjeç, banues në Tiranë, i cili pas ngjarjes është larguar menjëherë me automjetin e tij, ndërsa po vijon puna për kapjen e tij dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.
Të shtëna me armë gjatë natës në Pukë, u qëllua nga një “Masserati” në lëvizje
“Qëlloi në mesnatë, me armë zjarri në ajër nga automjeti, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin. Vijon puna intensive për kapjen e 26-vjeçarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, me marrjen e njoftimit, në mesnatë, rreth orës 00:20, se në dalje të qytetit të Pukës në aksin rrugor Pukë – Fushë-Arrëz, ishin dëgjuar të shtëna me armë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë organizuar punën, ku falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit, i cili ka qëlluar me armë zjarri, në ajër.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të policisë bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje dhe shpallja në kërkim e shtetasit K. P., 26 vjeç, banues në Tiranë.
Vijon puna intensive për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore. Gjithashtu u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim dhe e automjetit nga i cili ky shtetas ka qëlluar në ajër, duke qenë në lëvizje.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia e Shtetit në lidhje me ngjarjen në fjalë.