Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, arriti në Kiev për bisedime me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Sa mirë të jem sërish në Kiev. Aty ku vlerat që i mbajmë afër, mbrohen çdo ditë”, shkroi von der Leyen në Twitter.
“Unë e mirëpres vendimin e presidentit Zelensky për ta shënuar 9 Majin – Ditën e Evropës – edhe këtu në Ukrainë”, shtoi ajo.
Vizita e von der Leyenit – e pesta që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022 – zhvillohet në ditën kur Bashkimi Evropian feston Ditën e Evropës.
Kjo ditë nderon Deklaratën e Schumanit, të paraqitur nga ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, më 9 maj të vitit 1950.
Deklarata shihet si gur themeli i asaj që do të bëhej BE-ja e sotme, me 27 vende anëtare.
Von der Leyen do të “riafirmojë mbështetjen e palëkundur të BE-së ndaj Ukrainës”, tha zëdhënësi i saj.